Merret vendimi për rrënimin e objekteve pa leje në oborrin e QKUK-së

Merret vendimi për rrënimin e objekteve pa leje në oborrin e QKUK-së

Written by

in

Merret vendimi për rrënimin e objekteve pa leje në oborrin e QKUK-së

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka përfunduar verifikimin e pronësisë së oborrit, ndërsa ka bërë me dije se së shpejti do të nisë lirimin e hapësirave të uzurpuara dhe rrënimin e objekteve pa leje.

Komisioni i posaçëm i QKUK-së, i formuar në mars të këtij viti, ka verifikuar gjendjen pronësore në bashkëpunim me Drejtorinë e Kadastrit të Komunës së Prishtinës, përmes ortofotove dhe planeve kadastrale.

Sipas të dhënave kadastrale, thuhet se brenda oborrit të QKUK-së nuk figuron asnjë pronë private.

“QKUK-ja u ka dërguar dy njoftime zyrtare shfrytëzuesve të lokaleve afariste dhe kioskave, duke u kërkuar të dëshmojnë bazën ligjore për shfrytëzimin e këtyre hapësirave. Asnjëri prej tyre nuk ka paraqitur certifikatë pronësie apo dëshmi se objekti është në proces legalizimi. Ndër dokumentet e dorëzuara ka pasur kontrata të skaduara dhe aktvendime të paregjistruara në kadastër”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

Ky institucion thotë se ka marrë mbështetje në terren nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), i cili thotë se gjatë inspektimeve të ditëve të fundit i ka vërtetuar konstatimet e lartcekura.

“Me konfirmimet kadastrale dhe rekomandimet zyrtare si nga Inspektorati Komunal, ashtu edhe nga ai i MMPHI-së, menaxhmenti i QKUK-së tashmë ka në dorë të gjitha instrumentet ligjore dhe do t’i përdorë për t’ua kthyer pacientëve e qytetarëve pronën publike”, bëri me dije QKUK. /Klankosova.tv