Arsenali ka marrë lajme pozitive për gjendjen e portierit David Raya, pasi trajneri Mikel Arteta ka konfirmuar se lëndimi në shpatull nuk duket të jetë shumë serioz.
Megjithatë, portieri spanjoll do të mungojë në ndeshjen e së martës ndaj Borussia Dortmundit në Ligën e Kampionëve.
Raya u detyrua të largohej nga fusha gjatë barazimit 2-2 me Newcastle të shtunën, pas një përplasjeje me William Osulan. Testet e para kanë qetësuar frikën për një mungesë të gjatë, ndërsa Arteta ka bërë të ditur se nuk do të ketë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.
“Fatkeqësisht, ai nuk është i gatshëm për nesër, por lëndimi nuk duket shumë serioz”, deklaroi trajneri i Arsenalit.
Portieri do t’i nënshtrohet testeve të tjera gjatë së martës, për të përcaktuar më saktë kohën e rikuperimit. Për momentin, mbetet në dyshim edhe paraqitja e tij në ndeshjen e së dielës kundër Manchester Cityt.
Kujtojmë, përballja mes Arsenalit dhe Dortmundit zhvillohet të martën nga ora 21:00./Telegrafi/