Met Gala 2027 ndryshon drejtim, veshjet e përditshme bëhen tema e ekspozitës së madhe të modës

Met Gala 2027 ndryshon drejtim, veshjet e përditshme bëhen tema e ekspozitës së madhe të modës

Written by

in

Met Gala 2027 ndryshon drejtim, veshjet e përditshme bëhen tema e ekspozitës së madhe të modës

Pas polemikave që shkaktoi ideja për t’ia kushtuar ekspozitën e vitit 2027 disenjatorit John Galliano, Muzeu Metropolitan i Artit në New York ka prezantuar temën e re për “Met Gala”, duke vendosur në qendër bukurinë artistike të veshjeve të përditshme.

Ekspozita e titulluar “ExtraOrdinary: Fashion and the Poetics of the Everyday” (E jashtëzakonshme: Moda dhe poezia e përditshmërisë) do të hapet në maj të vitit të ardhshëm dhe do të përfshijë rreth 230 veshje, nga xhinset e bluzat e thjeshta deri te krijimet e realizuara me materiale të zakonshme, si letra dhe plastika.

Përmes kësaj ekspozite, organizatorët synojnë të dëshmojnë se edhe veshjet më të zakonshme mund të shndërrohen në krijime artistike dhe të kenë vlera të veçanta.

Në mesin e pjesëve që do të ekspozohen do të jetë një xhaketë lëkure nga disenjatori japonez Junya Watanabe, fustane luksoze të frymëzuara nga xhupat e fryrë, si dhe krijime që imitojnë pamjen e xhinseve.

“E zakonshmja nuk është kurrë aq e thjeshtë sa duket”, ka deklaruar Andrew Bolton, kuratori kryesor i Institutit të Kostumeve në muze.

Ai ka shpjeguar se tema e re lidhet me idenë e ekspozitës së këtij viti, ndërsa ka pranuar se anulimi i ekspozitës së planifikuar për John Gallianon e kishte vënë përballë një sfide.

“Për mua ishte e rëndësishme të krijonim një ekspozitë që të ishte po aq sfiduese, provokuese dhe e bukur sa do të kishte qenë ekspozita për John Gallianon”, është shprehur Bolton.

Sipas The New York Times, Anna Wintour, drejtuesja e gjigantit mediatik “Condé Nast”, nuk ishte e përfshirë në përzgjedhjen e temës së re.

Ndërkohë, kodi i veshjes për tapetin e kuq të “Met Gala 2027” ende nuk është bërë i ditur. Megjithatë, Bolton shpreson që vizitorët e ekspozitës të paraqiten me xhinset dhe bluzat e tyre të preferuara.

Mbetet të shihet nëse edhe yjet do ta marrin këtë temë si frymëzim për paraqitjet e tyre në mbrëmjen më të rëndësishme të modës, e cila vitet e fundit është karakterizuar nga veshje luksoze dhe ekstravagante.

Madje, në “Met Gala” e fundit, modelja Bhavitha Mandava tërhoqi vëmendjen me një kombinim të thjeshtë të xhinseve nga “Chanel” dhe një bluze transparente me zinxhir në pjesën e sipërme. Një paraqitje që në atë kohë u konsiderua nga shumëkush tepër e zakonshme për këtë ngjarje, por që mund të jetë paralajmërim i drejtimit të ri të modës në vitin 2027.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali