Meta dënohet me 25 miliardë dollarë për mashtrimin e përdoruesve të Facebook-ut

Meta dënohet me 25 miliardë dollarë për mashtrimin e përdoruesve të Facebook-ut

Written by

in

Meta dënohet me 25 miliardë dollarë për mashtrimin e përdoruesve të Facebook-ut

Një gjykatës në New Mexico ka urdhëruar kompaninë Meta Platforms të paguajë 25 miliardë dollarë, pasi një juri konstatoi se kompania kishte mashtruar konsumatorët lidhur me privatësinë e të dhënave. Çështja lidhet me pretendimet se kompania britanike e konsulencës politike Cambridge Analytica kishte siguruar, pa pëlqimin e përdoruesve, të dhënat personale të miliona personave në Facebook.

Prokurori i Përgjithshëm i New Mexico-s e kishte paditur Metën në vitin 2021, pas zbulimeve se Cambridge Analytica, e cila ishte përfshirë në fushatën presidenciale të Donald Trumpit më 2016, kishte mbledhur të dhënat personale të deri në 87 milionë përdoruesve të Facebook-ut përmes një aplikacioni të palës së tretë.

Shteti e akuzoi Metën se kishte mashtruar përdoruesit e Facebook-ut në New Mexico lidhur me personat që kishin qasje në të dhënat e tyre, mënyrën se si kompania trajtonte gjuhën e urrejtjes dhe dezinformatat në platformë, si dhe politikat e tjera të brendshme.

Sipas autoriteteve të New Mexico-s, Meta ishte në dijeni se palët e treta kishin qasje të gjerë në të dhënat personale të përdoruesve. Kompania u akuzua gjithashtu se toleronte gjuhën e urrejtjes dhe përmbajtje të tjera të dëmshme kur ato i sillnin përfitime financiare.

Juria konstatoi miliona shkelje

Më 25 shtator, juria konstatoi se 26 nga 29 deklaratat e bëra nga kompania dhe drejtuesit e saj lidhur me këto çështje ishin mashtruese.

Anëtarët e jurisë përcaktuan se Meta kishte kryer më shumë se 43 milionë shkelje të ligjeve për mbrojtjen e konsumatorëve në New Mexico. Numri i shkeljeve u llogarit në bazë të numrit të përdoruesve të Facebook-ut ose banorëve të këtij shteti që kishin qenë audiencë e secilës deklaratë mashtruese.

Ligji i New Mexico-s parasheh gjoba deri në 5 mijë dollarë për çdo shkelje. Të gjitha të ardhurat nga gjoba do të shkojnë për sistemin arsimor të këtij shteti, shkruan Reuters.

Gjatë një seance më 1 tetor, avokatët e shtetit kërkuan që gjoba të arrinte nga 35 deri në 40 miliardë dollarë. Ndërkaq, Meta kërkoi që shuma të kufizohej në 3.45 miliardë dollarë, duke argumentuar se një ndëshkim më i lartë mund t’i dekurajonte bizneset të operonin në këtë shtet.

Kompania mohoi se kishte shitur të dhënat e përdoruesve dhe pretendoi se shteti nuk kishte dëshmuar se ndonjë konsumator ishte mashtruar realisht.

Vendimi i dytë i madh kundër Metës në New Mexico

Ky është vendimi i dytë i rëndësishëm gjyqësor kundër Metës brenda gjashtë muajve në New Mexico.

Në procesin e parë, të përfunduar në mars, një juri në Santa Fe konstatoi se Meta kishte mashtruar përdoruesit lidhur me sigurinë e të rinjve në platformat Facebook, Instagram dhe WhatsApp. Si rrjedhojë, kompania u urdhërua të paguante 375 milionë dollarë gjoba civile.

Pas një faze të dytë të atij procesi, gjykatësi e urdhëroi kompaninë të paguante edhe 567 milionë dollarë në një fond të New Mexico-s për shëndetin mendor të adoleshentëve.

Meta gjithashtu u detyrua të zbatonte masa shtesë për mbrojtjen e përdoruesve të rinj në Facebook dhe Instagram në këtë shtet.

Këto vendime shtojnë presionin ligjor ndaj gjigantit të teknologjisë për mënyrën se si i trajton të dhënat personale dhe sigurinë e përdoruesve të platformave të tij.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali