Mickoski: ESHS konfirmoi rritjen PBV-së prej 3.8%

Mickoski: ESHS konfirmoi rritjen PBV-së prej 3.8%

Written by

in

Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski duke iu përgjigjur sot pyetjes gazetareske lidhur me shifrat më të fundit të prodhimit industrial dhe duke komentuar raportin e rishikuar për rritjen në vitet 2024 dhe 2025, tha se rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto është në trend rritës prej 3,8%.

“Ky është sërish lajm i keq për opozitën. Me të gjitha këto projekte që po i realizojmë dhe me këta tregues pozitivë që po shfaqen, ne kemi lajme të këqija për opozitën. Ata do të gëzoheshin sikur ne të mund të zhyteshim në atë moçal politik në të cilin e lanë vendin, në një gjendje pa ide, me një shtet të shkatërruar, të plaçkitur, të zhvlerësuar, me një ekonomi dhe qytetarë të rrënuar. Ne po përpiqemi që, gjatë këtyre pak më shumë se dy viteve, ta konsolidojmë të gjithë këtë dhe më në fund, ja ku po shfaqen treguesit e parë.

Enti Shtetëror për Statistikë publikoi shifrat përfundimtare për rritjen e prodhimit të brendshëm bruto për vitin 2024 dhe shifrat e rishikuara për vitin 2025. Të dyja të dhënat janë në trend rritës, në nivelin 3,8%. Për vitin 2024, rritja është korrigjuar nga 3% në 3,8%, ndërsa për vitin 2025, nga 3,5% në 3,8%.

Por, ajo që është më e rëndësishme, qëllimi ynë si Qeveri ishte që prodhimi i brendshëm bruto nominal në fund të mandatit të kësaj Qeverie të arrinte në 20 miliardë dollarë. Ky nivel është arritur tashmë në vitin 2025. Kjo do të thotë se këtë vit po rritemi edhe më shpejt dhe synojmë të arrijmë një objektiv të ri, pasi tani kemi një ambicie të re, planifikojmë të arrijmë në 22 miliardë dollarë, por, të shohim se si do të zhvillohet ky vit. Deri më tani, gjysma e parë e vitit është mbi pritshmëritë, ndërsa për periudhën në vijim do të shohim.

Gjithashtu, është inkurajuese e dhëna se edhe prodhimi industrial në muajin shtator, që është muaji i fundit i tremujorit të tretë, shënoi rritje prej 2,4%. Kështu, në tremujorin e tretë kemi rritje të prodhimit industrial, në kushtet kur në botë po zhvillohet pothuajse një Luftë e Tretë Botërore e padukshme dhe e heshtur, për shkak të asaj që po ndodh me burimet energjetike”, thotë Mickoski./Telegrafi/