Mijëra persona janë mbledhur të premten në mbrëmje në Trappes, një periferi në jugperëndim të Parisit, për të nderuar viktimat e një sulmi me armë zjarri, të ndodhur një javë më parë, ku sulmuesi dyshohet se kishte shënjestruar qëllimisht persona myslimanë dhe me prejardhje afrikane.
Sulmi, në të cilin një person mbeti i vrarë dhe shtatë të tjerë u plagosën, ka nxitur debat të ashpër në Francë lidhur me racizmin në politikë dhe media.
Kjo çështje është rikthyer në vëmendje të opinionit publik disa muaj para zgjedhjeve presidenciale, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Prokurorët kundër terrorizmit kanë bërë të ditur të enjten se i dyshuari 39-vjeçar, i identifikuar si Kevin T., gjatë marrjes në pyetje ka pranuar se kishte kërkuar viktima të “tipit mysliman, afrikan ose të Afrikës së Veriut”.
Në mesin e sendeve të tij personale është gjetur edhe një kopje e librit të Adolf Hitlerit, “Mein Kampf”, si dhe disa ngjitëse me mbishkrime që përmendnin partinë e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar (RN). Megjithatë, i dyshuari ka deklaruar se nuk mbështeste ndonjë parti të caktuar politike.
Gjatë tubimit përkujtimor, banorët kanë bërë thirrje për bashkim dhe kundërshtim të ideologjive që nxisin urrejtje.
“Për ne ishte shumë e rëndësishme të mblidheshim, sepse ka njerëz që mbajnë ideologji të dëmshme, si ai individ. Por ka shumë, shumë më tepër njerëz që kanë ideologji të mira dhe të shëndetshme dhe që besojnë se të jetuarit së bashku do ta mposhtë racizmin”, ka thënë Imad, banor i Trappes dhe drejtues i organizatës lokale joqeveritare “Aider”.
Edhe kryetari i komunës së Trappes, Ali Rabeh, gjatë ceremonisë ka akuzuar partinë e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, për nxitjen e klimës së urrejtjes.
“Hapni sytë. Vrasësi nuk i zgjodhi viktimat rastësisht. Urrejtja e tij nuk erdhi nga askund. Ajo iu mboll në mendje”, ka deklaruar Rabeh.
Ndërkohë, presidenti francez, Emmanuel Macron, në një intervistë të publikuar të enjten në YouTube, ka akuzuar partinë RN se po kontribuon në krijimin e një klime racizmi në Francë.
Kjo parti, e udhëhequr nga Marine Le Pen, ka hedhur poshtë çdo lidhje me sulmuesin.
Deputeti i RN-së, Jean-Philippe Tanguy, ka kundërshtuar akuzat, duke ia atribuar përgjegjësinë presidentit Macron.
“Është Macron ai që e ka qeverisur Francën gjatë nëntë viteve të fundit. Është gjatë mandatit të tij që antisemitizmi, homofobia dhe urrejtja janë përhapur në Francë. Ai është përgjegjës”, ka thënë Tanguy për televizionin TF1.
Një i vrarë dhe katër të plagosur nga të shtënat me armë në periferi të Parisit
Burimi: Dukagjini
