
Mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Austrisë, Francës dhe Italisë, duke kërkuar masa më të ashpra kundër dhunës ndaj grave dhe mbrojtje më të madhe për viktimat.
Protestat u organizuan në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, pas publikimit të një raporti të Kombeve të Bashkuara, i cili zbuloi se gjatë vitit 2025, në mbarë botën, rreth pesë gra dhe vajza janë vrarë çdo orë nga partnerët intimë ose anëtarët e familjes.
Në Itali, mijëra persona marshuan në qendër të Romës, nën organizimin e lëvizjes feministe “Non Una Di Meno”, duke kërkuar më shumë investime në shërbimet sociale, shëndetësi dhe arsim, si dhe mbështetje për gratë që përpiqen të largohen nga marrëdhëniet abuzive.
Sipas të dhënave të kësaj lëvizjeje, nga fillimi i vitit deri më 25 nëntor, në Itali janë regjistruar 76 viktima të vrasjeve të grave dhe 119 raste të tjera të tentativave për vrasje.
Ndërkohë, në Francë protestat u zhvilluan në mbi 30 qytete. Vetëm në Paris, sipas policisë, morën pjesë rreth 12 mijë e 500 persona, të cilët kërkuan mbrojtje më të fortë për viktimat dhe miratimin e masave gjithëpërfshirëse kundër dhunës seksuale dhe asaj me bazë gjinore.
Në Vjenë të Austrisë, qindra burra u mblodhën para parlamentit, duke mbajtur pankarta me mesazhe kundër patriarkatit dhe dhunës ndaj grave.
“Nuk ka asnjë justifikim për dhunën”, deklaroi aktivisti Manfred Zeisberger, ndërsa përfaqësuesi i organizatës White Ribbon Austria, Andreas Nevlacsil, tha se burrat kanë heshtur për një kohë të gjatë dhe se kjo heshtje duhet të marrë fund.
Sipas të dhënave qeveritare, një në tri gra në Austri përjeton dhunë fizike ose seksuale gjatë jetës së saj.
Protestuesit në të tri shtetet kërkuan ndërhyrje më të fuqishme institucionale, parandalim të dhunës, financim të shërbimeve mbështetëse dhe mbrojtje konkrete për gratë që përballen me abuzim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali