Ministri spanjoll jep dorëheqje pas dy tragjedive hekurudhore

Ministri spanjoll jep dorëheqje pas dy tragjedive hekurudhore

Written by

in

Ministri spanjoll jep dorëheqje pas dy tragjedive hekurudhore

Ministri i Transportit i Spanjës, Oscar Puente, ka njoftuar se do të largohet nga detyra pas dy aksidenteve të rënda hekurudhore brenda më pak se një viti, të cilat kanë shkaktuar dhjetëra viktima.

Puente bëri të ditur se vendimin për dorëheqje e kishte marrë që në minutat e para pas aksidentit të fundit, më 28 tetor, ku humbën jetën 69 persona. Megjithatë, ai kishte vazhduar punën për t’u marrë me pasojat e tragjedisë dhe për të parandaluar aksidente të ngjashme në të ardhmen, shkruan Sky News, transmeton Klankosova.tv.

“Një ministër i Transportit në një vend si Spanja nuk mund të vazhdojë në detyrë pas dy aksidenteve të kësaj shkalle brenda më pak se një viti. Është çështje dinjiteti politik, konsistence dhe empatie me viktimat”, deklaroi Puente.

Ai nuk ka bërë të ditur se kur do të largohet zyrtarisht nga detyra.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, e ka përshëndetur vendimin e tij, duke thënë se Puente mori përgjegjësi, ofroi zgjidhje dhe më pas vendosi të largohej nga posti në shenjë respekti për viktimat.

Aksidenti i fundit ndodhi pranë qytetit Urda, në Spanjën qendrore, pas një defekti në sistemin e sinjalizimit hekurudhor. Në janar të këtij viti, në linjën Madrid-Sevilje, 46 persona humbën jetën pasi një tren doli nga shinat dhe u përplas me një tren tjetër.

Ndërkohë, shqetësimet për sigurinë hekurudhore në Spanjë janë shtuar edhe pas një tjetër incidenti të martën, pranë Barcelonës, ku tri vagonë u përplasën me një lokomotivë, duke lënë të lënduar një makinist.

Sindikatat hekurudhore kanë paralajmëruar grevë më 17 nëntor, duke kërkuar masa më të forta për sigurinë në transportin hekurudhor./Klankosova.tv