Gjykatat në Maqedoninë e Veriut nuk e shfrytëzojnë sa duhet sistemin e probacionit, i cili mundëson që personat e dënuar, në vend të vuajtjes së dënimit në burg, të qëndrojnë në liri ose në kushte të burgut shtëpiak, nën mbikëqyrjen e shërbimit të probacionit.
Ndonëse numri i rasteve aktive nën këtë sistem është më shumë se dyfishuar për dy vjet, nga 604 në vitin 2024 në 1.248 në vitin 2026, zbatimi i mbikëqyrjes elektronike mbetet i kufizuar. Nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve thonë se nevojitet përdorim më i madh i dënimeve alternative në vend të burgut efektiv, si dhe zbatim më i gjerë i mbikëqyrjes elektronike.
“Deri më tani janë marrë 12 vendime gjyqësore për mbikëqyrje elektronike, prej të cilave katër aktgjykime për shqiptimin e dënimit me burg shtëpiak dhe tetë aktvendime për zëvendësimin e dënimit me burg me burg shtëpiak”. – Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve.
Nga Drejtoria vlerësojnë se probacioni është shumë më ekonomik se mbajtja e personave në burg, pasi zvogëlon numrin e të burgosurve dhe shpenzimet e institucioneve ndëshkuese, ndërsa mundëson risocializimin e tyre në liri. Megjithatë, pranojnë se sistemi nuk zhvillohet dhe nuk zbatohet në mënyrë të njëtrajtshme nga gjykatat në të gjitha rajonet e vendit.
“Më e rëndësishmja është që gjyqtarët të inkurajohen të shqiptojnë më shumë masa alternative në vend të dënimeve efektive me burg, të lejojnë lirime me kusht për periudha më të gjata, si dhe të zbatojnë masa me mbikëqyrje elektronike”. – Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve.
Nevojën për përdorim më të gjerë të alternativave ndaj burgimit e evidenton edhe Komisioni Evropian. Në raportin për vitin 2026, Brukseli konstaton se nuk është shënuar progres në ndryshimin e kornizës ligjore për alternativat ndaj burgimit. Ndërkohë, nga Ministria e Drejtësisë për Alsat thonë se kanë përgatitur një propozim-ligj, i cili së shpejti do të dërgohet në procedurë qeveritare. Sipas Ministrisë, projektligji është pjesë e reformave për modernizimin e sistemit të ekzekutimit të sanksioneve dhe harmonizimin e tij me standardet evropiane.
“Me këtë ligj forcohet roli i Shërbimit të Probacionit, vendosen regjistri elektronik dhe mbikëqyrja elektronike, avancohet vlerësimi i rrezikut në procedurën penale, vendosen standarde më të larta për të drejtat e njeriut dhe trajtimin e barabartë, forcohet mbrojtja e viktimave, veçanërisht në rastet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore”. – Ministria e Drejtësisë.
Përdorimi më i gjerë i dënimeve alternative merr rëndësi edhe për shkak të mbipopullimit të burgjeve në vend. Kushtet në institucionet ndëshkuese janë vazhdimisht objekt shqetësimi, ndërsa personat e dënuar përballen me kushte të rënda të vuajtjes së dënimit. Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, në burgun e Idrizovës, gjatë vitit 2025, mbipopullimi është dyfishuar krahasuar me vitin paraprak./Alsat.mk