Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës këmbëngul që diga në lumin Mirusha të largohet, duke u thirrur në studimet teknike dhe ekologjike që, sipas saj, kanë evidentuar probleme serioze me stabilitetin e strukturës dhe ndikimin e saj në ekosistemin lumor.
Në anën tjetër, Komuna e Malishevës vazhdon të kundërshtojë rrënimin e digës, duke kërkuar që para çdo ndërhyrjeje të ketë një projekt konkret për të ardhmen e kësaj hapësire, përfshirë edhe mundësinë e ndërtimit të një dige të re.
Në përgjigjet e dhëna për Telegrafin, Ministria ka bërë të ditur se vendimi për vazhdimin e projektit të largimit të digës mbështetet në një proces disa vjeçar të vlerësimeve teknike, hidrologjike, gjeomekanike dhe ekologjike.
Sipas Ministrisë, diga është ndërtuar pa lejet dhe pëlqimet e nevojshme nga autoritetet kompetente, përfshirë dokumentacionin ujor dhe mjedisor.
“Struktura ekzistuese ka pësuar dëmtime, janë evidentuar plasaritje dhe mangësi konstruktive, ndërsa vlerësimet teknike kanë ngritur shqetësime serioze për stabilitetin e saj”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Në veçanti, Ministria i është referuar Raportit të Analizës së Stabilitetit të Digës, të përgatitur në dhjetor të vitit 2023, sipas të cilit trupi i digës nuk është projektuar dhe ndërtuar sipas kritereve përkatëse për diga nga materiali rrethanor.
“Gjithashtu, sipas analizës, skarpati i jashtëm nuk ka stabilitet të qëndrueshëm nën ngarkesat e shqyrtuara, duke cenuar stabilitetin e tërësishëm të strukturës”, thuhet në përgjigje.
Bazuar në këto gjetje, Ministria vlerëson se riparimi i strukturës nuk është zgjidhje e qëndrueshme.
“Bazuar në këto gjetje dhe në vlerësimet e ekspertëve të fushës së hidrologjisë, diga ekzistuese nuk mund të riparohet apo renovohet në mënyrë që të garantohet siguria dhe qëndrueshmëria e saj afatgjatë. Për këtë arsye, riparimi apo rindërtimi i saj nuk është paraparë si alternativë në kuadër të projektit aktual”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Studimet ekologjike dhe ndikimi në lumin Mirusha
Përveç çështjeve të sigurisë, Ministria e arsyeton largimin e digës edhe me ndikimin e saj në ekosistemin e lumit.
Sipas saj, diga ka ndërprerë vazhdimësinë natyrore të rrjedhës, ka fragmentuar habitatet ujore dhe ka ndikuar në cilësinë e ujit dhe biodiversitetin.
Në këtë drejtim, Ministria i është referuar Raportit Ekologjik për lumin Mirusha, të realizuar nga ekspertët e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Prishtinës dhe të publikuar në vitin 2024, pas një hulumtimi njëvjeçar.
“Studimi ka konstatuar se prania e digave, së bashku me ndotjen dhe faktorë të tjerë, ka ndikuar në përkeqësimin e cilësisë së ujit, fragmentimin e habitateve dhe ndryshimin e përbërjes së faunës ujore”, thuhet në përgjigje.
Ministria bën të ditur se gjatë hulumtimit është evidentuar rënia e llojeve vendase të peshqve dhe shtimi i llojeve jovendase. Po ashtu, sipas saj, lloji Salmo marmoratus, i evidentuar në literaturën e mëhershme, nuk është gjetur gjatë studimit.
Në kuadër të projektit janë anketuar edhe 150 banorë nga fshatrat Mirushë, Turjakë dhe Lumnishtë.
Sipas rezultateve të anketimit, një pjesë e konsiderueshme e banorëve kanë raportuar probleme me zvogëlimin e rrjedhës së ujit, kundërmimin, grumbullimin e mbeturinave dhe ndikimet negative në ekosistem.
Ministria tregon çfarë parasheh pas largimit të digës
Ministria ka bërë të ditur se projekti nuk përfshin vetëm largimin fizik të strukturës, por edhe rehabilitimin e zonës dhe rikthimin e rrjedhës natyrore të lumit.
“Qëllimi kryesor është rehabilitimi i zonës së ndikuar dhe rikthimi i rrjedhës natyrore të lumit Mirusha, duke përmirësuar njëkohësisht gjendjen ekologjike dhe sigurinë e zonës”, thuhet në përgjigje.
Në kuadër të ndërhyrjes parashihen largimi i kontrolluar i digës, riformësimi i shtratit të lumit, menaxhimi i sedimenteve dhe materialeve të grumbulluara në zonën e akumulacionit, si dhe stabilizimi i brigjeve sipas nevojës.
Po ashtu, Ministria ka bërë të ditur se monitorimi pas ndërhyrjes do të përfshijë përcjelljen e gjendjes së shtratit dhe brigjeve, dinamikës së rrjedhës dhe ndryshimeve ekologjike.
Sa i përket mundësisë së zhvillimit rekreativ dhe turistik të kësaj hapësire, Ministria thotë se largimi i digës nuk nënkupton heqjen dorë nga një mundësi e tillë.
“Përkundrazi, rehabilitimi i lumit mund të krijojë mundësi për zhvillimin e shtigjeve për ecje, hapësirave të gjelbra dhe aktiviteteve të tjera në natyrë, pa cenuar rrjedhën dhe ekosistemin lumor”, thuhet në përgjigje.
Ministria ka bërë të ditur gjithashtu se i ka kërkuar Komunës së Malishevës të informojë nëse ka ndonjë plan apo projekt konkret për rehabilitimin dhe rregullimin e hapësirës përreth lumit Mirusha, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim institucional.
Komuna e Malishevës: Nuk mbështesim rrënimin pa një alternativë konkrete
Ndryshe nga Ministria, Komuna e Malishevës ka ritheksuar kundërshtimin ndaj rrënimit të digës, duke u mbështetur në një raport profesional të hartuar nga profesori Sylejman Daka, autor i projektit të digës.
Sipas komunës, raporti evidenton disa dëmtime të vogla që kërkojnë ndërhyrje dhe sanim, por nuk konstaton rreziqe të tjera përcjellëse.
“Komuna e Malishevës mbetet kategorikisht kundër rrënimit të digës në lumin Mirusha, pa një projekt konkret dhe pa një zgjidhje të qëndrueshme për të ardhmen e kësaj hapësire”, thuhet në përgjigjen e komunës për Telegrafin.
Komuna ka ngritur edhe çështjen e kompetencave, duke iu referuar kategorizimit të digës në grupin e digave të ulëta, sipas Udhëzimit Administrativ MMPH Nr. 09/20A, neneve 2.1.1 dhe 2.1.2.
“Bazuar në këtë kategorizim, Komuna ka ngritur shqetësimin se çështja e rrënimit të saj nuk është kompetencë e nivelit qendror dhe se trajtimi i saj duhet të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigje.
Institucioni lokal thotë se kundërshtimi i tij lidhet edhe me mungesën e një plani konkret për të ardhmen e zonës, duke kërkuar që Ministria të marrë zotim institucional për një zgjidhje alternative.
“Komuna e Malishevës kundërshton rrënimin e digës ekzistuese pa një projekt konkret dhe pa zotim institucional për ndërtimin e një dige të re, apo pa një plan të qartë dhe afatgjatë për zonën ku aktualisht gjendet diga”, thuhet në përgjigjen e komunës.
Sipas saj, para çdo veprimi duhet të paraqitet një zgjidhje konkrete dhe Komuna e Malishevës të përfshihet në këtë proces.
“Qëndrimi ynë është i qartë, nuk mund të mbështesim rrënimin e një objekti ekzistues, për të cilin posedojmë raport profesional që evidenton dëmtime të sanueshme, pa pasur një alternativë konkrete dhe të garantuar për të ardhmen e tij”, përfundon përgjigjja e komunës.
Kështu, Ministria dhe Komuna e Malishevës vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta për të ardhmen e digës në lumin Mirusha. Derisa Ministria kërkon largimin e saj, duke u thirrur në raportet teknike dhe ekologjike, Komuna insiston që fillimisht të ofrohet një zgjidhje konkrete, përfshirë mundësinë e ndërtimit të një dige të re. /Telegrafi/