Ministria e Shëndetësisë siguron se ka vaksina të mjaftueshme kundër gripit sezonal

Ministria e Shëndetësisë siguron se ka vaksina të mjaftueshme kundër gripit sezonal

Written by

in

Pas përfitimeve që ka vërejtur nga vaksinimi kundër gripit sezonal, pensionistja Dobrilla tashmë çdo vit aplikon për të marrë vaksinën falas.

Ajo thotë se këtë herë ka marrë termin brenda një kohe të shkurtër dhe se vaksinimi është mënyra më e mirë për të mbrojtur shëndetin e saj të brishtë.

Mjekja Kljuseva rikujton se për personat që bëjnë pjesë në grupet me rrezik të lartë, vaksina kundër gripit sezonal është falas, ndërsa shpjegon edhe procedurën e aplikimit për vaksinim.

Ndërkohë, në repartin e pediatrisë është shënuar rritje e numrit të kontrolleve ambulatore dhe të fëmijëve të hospitalizuar.
Përveç vaksinimit, qytetarëve u rekomandohet që të ajrosin shpesh ambientet e brendshme, t’i mbajnë ato të ngrohta, të lajnë rregullisht duart, të shmangin vendet me shumë njerëz dhe kontaktin me personat që kanë kollë.

Gjithashtu, këshillohet ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik dhe reduktimi i stresit, si masa shtesë për ruajtjen e shëndetit gjatë sezonit të gripit.

Interesimi për vaksinimin kundër gripit sezonal po rritet, ndërsa vaksinimi mbetet një nga mënyrat kryesore për të ulur rrezikun e komplikimeve shëndetësore.

Nga Ministria e Shëndetësisë sigurojnë se ka sasi të mjaftueshme të vaksinave për të gjithë qytetarët që kanë të drejtë vaksinimi. Njëkohësisht, u bëhet thirrje personave që kanë marrë termin, por nuk mund të paraqiten në kohën e caktuar, ta anulojnë atë në mënyrë që termini t’i caktohet një qytetari tjetër të interesuar.