Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se rënia e çmimeve të derivateve në tregjet globale ka filluar të reflektohet edhe në Kosovë. Gjatë 24 orëve të fundit, çmimi mesatar i naftës ka rënë nga 1.83 në 1.79 euro për litër, ndërsa ai i benzinës ka arritur në 1.43 euro për litër.
Sipas MINTI-t, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar aktivitetet inspektuese gjatë ditëve të fundit, me qëllim të përcjelljes së lëvizjeve të çmimeve nga tregjet ndërkombëtare në tregun vendor.
“Nga inspektimet e realizuara gjatë dy ditëve të fundit është vërejtur se tendenca e rënies së çmimeve të derivateve në tregjet globale ka filluar të reflektohet edhe në tregun e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
MINTI bën të ditur se mban komunikim të vazhdueshëm me Doganën e Kosovës, nga e cila pranon informacione ditore për çmimet e importit të derivateve.
Analiza e çmimeve bëhet duke marrë për bazë çmimin mesatar të furnizimit të ditës paraprake, çmimin mesatar të furnizimit të 10 milionë litrave të fundit të importuara dhe çmimin mesatar të shitjes në tregun vendor.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e konsumatorëve, garantimin e transparencës dhe mbikëqyrjen e rregullt të tregut”, thuhet më tej në njoftim.
Sipas Ministrisë, inspektimet dhe monitorimi i tregut do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në mënyrë që ndryshimet e çmimeve të furnizimit të reflektohen në kohë edhe te konsumatorët.
Burimi: RTKLive
