Mister në Pejë: 21-vjeçari zhduket në orët e para të mëngjesit, lë veturën, telefonin dhe dokumentet – kamerat zbulojnë lëvizjet e fundit

Mister në Pejë: 21-vjeçari zhduket në orët e para të mëngjesit, lë veturën, telefonin dhe dokumentet – kamerat zbulojnë lëvizjet e fundit

Written by

in

Mister në Pejë: 21-vjeçari zhduket në orët e para të mëngjesit, lë veturën, telefonin dhe dokumentet – kamerat zbulojnë lëvizjet e fundit

Një zhdukje e pazakontë ka vënë në lëvizje Policinë e Kosovës në Pejë, ku një 21-vjeçar është larguar në orët e para të mëngjesit, duke lënë pas veturën, telefonin celular dhe dokumentet personale. Kamerat e sigurisë kanë regjistruar disa nga lëvizjet e tij, por në një moment gjurmët humbin dhe vendndodhja e tij mbetet e panjohur, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se personi i zhdukur është Shqiprim Meziu, 21 vjeçar ndërsa rastin në Polici e ka denoncuar babai i tij, Milaim Meziu.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjithçka ka ndodhur të shtunën, më 24 tetor 2026, rreth orës 04:50 të mëngjesit.

Në atë kohë, 21-vjeçari është larguar nga shtëpia, ndërsa kamerat e sigurisë kanë regjistruar momentin kur ai ka lënë veturën para një autolarjeje në rrugën “Papa Klementi”, përballë qendrës “Peja City”.

Ajo që e bën edhe më shqetësuese zhdukjen është fakti se i riu kishte lënë brenda veturës telefonin celular dhe dokumentet personale, përpara se të largohej në drejtim të panjohur.

Pas denoncimit nga babai, hetuesit policorë kanë nisur verifikimin e kamerave të sigurisë dhe gjurmimin e lëvizjeve të tij nëpër qytet.

Nga pamjet e kamerave të qytetit është arritur të identifikohet edhe drejtimi i fundit i lëvizjes së 21-vjeçarit.

Shqiprim Meziu është parë për herë të fundit duke ecur nga Çarshia e Gjatë në drejtim të rrugës “Emrush Miftari”. Nga ajo pikë, sipas informacioneve policore, nuk dihet më se nga ka vazhduar.

Pas verifikimit të pamjeve dhe veprimeve fillestare hetimore, për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me udhëzim të të cilit është iniciuar zyrtarisht rasti “Person i zhdukur”.

Policia po vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat e largimit dhe për të përcaktuar vendndodhjen e të riut.

Deri në informacionet e fundit të siguruara nga Sinjali, nuk ka konfirmim për gjetjen e tij.

Gazeta Sinjali do të raportojë për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë rast.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali