Misteri i 1 milion eurove të fshehura në Mercedes në Merdarë, 33-vjeçari që pretendon se paratë janë të tij – përfundon në prangat e Speciales

Misteri i 1 milion eurove të fshehura në Mercedes në Merdarë, 33-vjeçari që pretendon se paratë janë të tij – përfundon në prangat e Speciales

Written by

in

Misteri i 1 milion eurove të fshehura në Mercedes në Merdarë, 33-vjeçari që pretendon se paratë janë të tij – përfundon në prangat e Speciales

Një milion euro të fshehura në një hapësirë të modifikuar të një Mercedes Sprinter, me targa të Shqipërisë, vazhdojnë të jenë në qendër të hetimeve të Prokurorisë Speciale. Tetë muaj pas sekuestrimit të tyre në pikën kufitare të Merdarës, në këtë rast ka dalë një person që ka marrë përsipër pronësinë e gjithë shumës, por që, sipas të dhënave hetimore, nuk ka arritur të dëshmojë prejardhjen e parave dhe as lidhjen me personat që i transportuan. Deklarimi i tij ka përfunduar me ndalim për 48 orë.

Gazeta Sinjali mëson se bëhet fjalë për F.A, 33-vjeçar, i cili është paraqitur më 23 tetor në Prokurorinë Speciale dhe ka deklaruar se një milion eurot e sekuestruara janë pronë e tij.

Por, si nisi e gjithë kjo histori?

Më 24 shkurt 2026, në pikën kufitare në Merdarë, gjatë kontrollit të një automjeti Mercedes Sprinter, me ngjyrë të bardhë dhe targa të Shqipërisë, në të cilin ndodheshin tre persona, zyrtarët kishin zbuluar një hapësirë të modifikuar brenda automjetit.

Kontrolli më i detajuar kishte nxjerrë në pah një shumë marramendëse parash – plot 1 milion euro, të cilat ishin të fshehura në atë hapësirë.

Paratë ishin sekuestruar, ndërsa rasti kishte kaluar në duart e hetuesve të krimeve ekonomike, të cilët, me autorizim të Prokurorisë Speciale, nisën hetimet për dyshimet lidhur me prejardhjen dhe transportimin e tyre.

Tetë muaj më vonë, në këtë rast del në skenë edhe F.A.

Siç mëson Sinjali, gjatë intervistimit të sotëm, në prani të avokatit mbrojtës, Akifi ka deklaruar se shuma prej një milion eurosh i përket atij.

Mirëpo, sipas informacioneve nga hetimet, 33-vjeçari nuk ka arritur të dëshmojë prejardhjen e mjeteve financiare dhe as të sqarojë lidhjen e tij me tre personat që i kishin transportuar paratë përmes Merdarës.

Pas intervistimit nga prokurori dhe hetuesit e rastit, ndaj Akifit është nxjerrë vendim për ndalim prej 48 orësh.

Rasti po hetohet për veprat penale “Shpëlarja e parasë” dhe “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.

Hetimet për prejardhjen e një milion eurove dhe rrethanat e transportimit të tyre janë ende në vazhdim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali