Mocion mosbesimi kundër Donald Tusk, opozita synon rrëzimin e qeverisë në Poloni

Mocion mosbesimi kundër Donald Tusk, opozita synon rrëzimin e qeverisë në Poloni

Written by

in

Opozita konservatore në Poloni ka ndërmarrë një nismë për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Donald Tusk, duke paralajmëruar paraqitjen e një mocioni mosbesimi në Parlament.

Në vend të qeverisë aktuale, opozita propozon krijimin e një administrate të përkohshme teknike, e cila do të drejtohej nga ish-kryetari i Parlamentit, Marek Jurek.

Lajmi u bë i ditur nga ish-kryeministri polak Mateusz Morawiecki, i cili deklaroi: “Po paraqesim një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Donald Tusk”.

Sipas Morawieckit, qeveria teknike e propozuar do të qëndronte në detyrë deri në zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të përcaktonin një shumicë të re parlamentare.

Kjo lëvizje shënon një përshkallëzim të mëtejshëm të krizës politike në Poloni, e cila është thelluar pas përplasjes lidhur me Gjykatën Kushtetuese të vendit.

Presidenti polak, Karol Nawrocki, e ka cilësuar situatën si një “shkelje të rendit kushtetues” dhe një përpjekje për marrjen nën kontroll të një institucioni kushtetues shtetëror.

Për shkak të zhvillimeve, ai ndërpreu vizitën e tij në Senegal, u kthye në Varshavë gjatë natës dhe thirri konsultime urgjente me partitë parlamentare.

Kriza nisi pasi gjyqtarja Anna Korwin-Piotrowska pezulloi kreun e Tribunalit Kushtetues, Bogdan Swieczkowski, dhe mori drejtimin e institucionit. Ky veprim u kundërshtua ashpër nga vetë Swieczkowski dhe partia opozitare Ligj dhe Drejtësi (PiS), të cilët e cilësuan atë të paligjshëm.

Nga ana tjetër, qeveria e Donald Tusk argumenton se veprimet e saj synojnë rikthimin e sundimit të ligjit dhe korrigjimin e ndryshimeve në sistemin gjyqësor të ndërmarra gjatë tetë viteve të qeverisjes së PiS, e cila përfundoi në vitin 2023.

Ndërkohë, opozita akuzon qeverinë aktuale se po përpiqet të marrë kontrollin e institucioneve të pavarura shtetërore, duke e thelluar edhe më tej përplasjen politike dhe institucionale në vend.