
Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, është sjellë në Gjykatë nën përcjelljen e forcave të shumta policore.
Sylaj, i cili akuzohet për kanosje, është paraqitur në gjykatë nën masa të shtuara sigurie.
Ai dyshohet për kanosje ndaj ish-bashkëshortes së tij, Arlinda Zekaj.
Momentin e arritjes së tij në gjykatë e kanë përcjellë forca të shumta policore
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës, nga ish-kunati i saj, Albert Sylaj, i cili dyshohet se e sulmoi me sëpatë në shtëpinë e saj.
Vrasja ndodhi vetëm pak minuta pasi Arlinda ishte kthyer në shtëpi, e shoqëruar nga Policia, pasi paraprakisht kishte raportuar në polici ish-bashkëshortin e saj, Jeton Sylaj, për dhunë në familje. Ky i fundit ishte ndaluar për 48 orë.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, Albert Sylaj e kreu vrasjen si hakmarrje për ndalimin e vëllait të tij, Jetonit. Albert Sylaj u arrestua dy ditë pas vrasjes, ndërsa ndaj tij u caktua masa e paraburgimit.
Ndërkohë, në kuadër të hetimeve për vrasjen e Arlindës janë arrestuar edhe katër persona të tjerë: Nurije Sylaj, Driton Sylaj, Gëzim Bobi dhe Metë Pepaj. Dy të parët dyshohen për shtytje në vrasje, ndërsa Bobi dhe Pepaj për ndihmë kryerësit pas kryerjes së veprës penale./Insajderi.org
Burimi: Insajderi