Monarkitë e Gjirit në alarm, demokratët përgatitin hetime për lidhjet financiare me familjen Trump

Monarkitë e Gjirit në alarm, demokratët përgatitin hetime për lidhjet financiare me familjen Trump

Written by

in

Qeveritë e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Katarit po përgatiten për hetime të mundshme të demokratëve në Kongresin amerikan lidhur me marrëdhëniet financiare me presidentin Donald Trump, administratën e tij dhe familjen e tij, raporton The Washington Post.

Pas fitores së demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit të javës së kaluar, të cilat u dhanë atyre shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, ligjvënësit kanë paralajmëruar hetime të gjera për pretendimet për korrupsion dhe ndikim financiar në vendimmarrjen e administratës Trump.

Sipas zyrtarëve amerikanë dhe diplomatëve në rajonin e Gjirit, përfaqësues të demokratëve tashmë kanë paralajmëruar qeveritë e këtyre tri shteteve për hetimet e pritshme. Në fokus pritet të jenë marrëveshjet e pasurive të paluajtshme, investimet financiare dhe transaksionet e tjera, përfshirë dhuratën prej 400 milionë dollarësh të Katarit për një aeroplan luksoz.

Një prej çështjeve që pritet të marrë vëmendjen më të madhe është investimi i lidhur me Emiratet e Bashkuara Arabe në kompaninë e kriptomonedhave World Liberty Financial, të themeluar nga tre djemtë e Trumpit dhe Zach Witkoff, djali i të dërguarit të lartë amerikan Steve Witkoff.

Vetëm disa muaj para se Emiratet të fitonin qasje në mikroçipat e avancuar amerikanë, një subjekt i lidhur me një anëtar të lartë të familjes mbretërore emiratase, Sheikh Tahnoon bin Zayed al-Nahyan, bleu një pjesë të aksioneve në vlerë prej 500 milionë dollarësh në këtë kompani.

Senatorja demokrate Elizabeth Warren e kishte cilësuar këtë marrëveshje si “korrupsion, të thjeshtë dhe të qartë”.

Edhe Arabia Saudite pritet të jetë në fokus të hetimeve për shkak të investimeve në bizneset e familjes Trump. Fondi sovran i pasurisë së këtij shteti kishte investuar dy miliardë dollarë në kompaninë private të investimeve Affinity Partners, të themeluar dhe drejtuar nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan.

Pas rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë për mandatin e dytë, familja e tij ka zgjeruar marrëveshjet në sektorin e patundshmërive në Arabinë Saudite. Këto përfshijnë projektet për ndërtimin e një kulle Trump në Xhedah, një kompleksi Trump Plaza me vlerë një miliard dollarësh dhe dy komuniteteve rezidenciale luksoze në Riad.

Në hetime pritet të përfshihet edhe marrëveshja e administratës Trump me Riadin, e nënshkruar në korrik, për ndërtimin e centraleve bërthamore duke përdorur teknologjinë amerikane. Marrëveshja i hapi Arabisë Saudite rrugën për pasurimin e karburantit bërthamor, megjithëse Trumpi më vonë e kushtëzoi atë me normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, pas kundërshtimeve të forta në Kongres.

Ndërkaq, dhurata e Katarit për administratën amerikane, një aeroplan luksoz Boeing 747-8, është një tjetër transaksion që pritet të hetohet. Demokratët e kishin cilësuar këtë marrëveshje si ryshfet dhe kishin propozuar bllokimin e shitjeve të armëve në vlerë prej 1.9 miliardë dollarësh për Dohën.

Senatori demokrat Chris Murphy, i cili vizitoi Gjirin Persik në tetor, tha se gjatë takimeve me princin saudit Mohammed bin Salman dhe emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, kishte ngritur shqetësimet për korrupsionin.

“Politika jonë e jashtme është korruptuar”, citohet të ketë thënë Murphy në një aktivitet në Washington, pas kthimit nga rajoni.

Sipas The Washington Post, demokratët nuk kanë autoritet të përdorin thirrjet zyrtare të Kongresit për t’i detyruar qeveritë e huaja të dorëzojnë dokumente, por mund të përdorin ndikimin e tyre në çështje ku Kongresi ka kompetenca mbikëqyrëse, si shitjet e armëve dhe ndihma për sigurinë.

Kjo mund të shkaktojë tensione në marrëdhëniet e Washingtonit me tri monarkitë e Gjirit, të cilat nuk pritet të ofrojnë komunikimet private dhe dokumentet që kërkojnë hetuesit amerikanë.

Zyrtarët e këtyre shteteve kanë mbrojtur marrëveshjet me administratën Trump, duke i cilësuar ato si transparente dhe duke mohuar se kanë synuar të fitojnë ndikim në vendimmarrjen e presidentit amerikan. Ambasadat e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Katarit kanë refuzuar të komentojnë hetimet e pritshme.

Sipas ish-drejtoreshës për Çështjet e Gadishullit Arabik në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së parë Trump, Allison Minor, marrëdhëniet e këtyre vendeve me demokratët mund të përballen me vështirësi të mëtejshme edhe për shkak të çështjeve të tjera, përfshirë luftën në Sudan dhe veprimet ushtarake saudite në Jemen.

Minor tha se demokratët kanë pakënaqësi të akumuluara lidhur me këto çështje, duke përfshirë pretendimet për mbështetjen e Emirateve ndaj forcave paramilitare në Sudan dhe shqetësimet për numrin e lartë të viktimave civile nga operacionet saudite në Jemen.

Burimi: Dukagjini