Trajneri portugez, në prag të ndeshjes që Real Madrid, do ta zhvillojë në udhëtim ndaj AEK të Athinës, ka vlerësuar potencialin e madh të skuadrës madrilene, por ka theksuar se ajo ende nuk ka fituar asgjë.
“Sa kohë do të duhet për një Real Madrid të përsosur? Tre sezone. Ky ekip ka potencial të madh, pa dyshim. Por ata nuk kanë fituar asgjë ende. Do të shohim se çfarë na pret në vazhdim”, ka deklaruar Mourinho.
Portugezi ka folur edhe për Federico Valverde, duke e cilësuar atë si një lojtar vendimtar për skuadrën. Sipas tij, përgjegjësia e kapitenit e bën mesfushorin uruguaian të gatshëm të luajë në çdo pozitë ku ka nevojë ekipi.
Mourinho ka pranuar se është i kënaqur me paraqitjet e Valverde në krahun e mbrojtjes, por ka bërë të ditur se ai pritet të rikthehet në mesfushë, pasi Real Madrid nuk ka shumë alternativa në këtë repart.
“Skuadra është ndërtuar për të luajtur me Valverde në mesfushë. Nuk kemi shumë mesfushorë dhe, për këtë arsye, ai me siguri do të luajë përsëri në këtë pozitë”, ka thënë trajneri portugez.
Ai ka konfirmuar gjithashtu se Vinicius Junior do të jetë titullar në ndeshjen ndaj AEK, duke e vlerësuar brazilianin si lojtarin më të përshtatshëm për krahun e majtë të sulmit.
Mourinho ka përmendur edhe vështirësitë që e presin Real Madrid në Athinë, duke kujtuar se skuadra spanjolle ka fituar vetëm një herë në tetë vizitat e mëparshme në këtë qytet.
Në fund, trajneri portugez ka shprehur keqardhjen për lajmin tragjik lidhur me Jesus de Miguel, duke dërguar ngushëllimet e tij për familjen dhe miqtë e tij. Ai ka thënë se bëhet fjalë për një ngjarje shumë të rëndë, e cila ka prekur të gjithë të përfshirët në futboll.
Burimi: RTKLive
