
Rreth 130 persona janë shpëtuar pas një përplasjeje mes një anijeje turistike dhe një tankeri në lumin Mississippi, në New Orleans të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas BBC-së, anija e kruzerit “American Heritage” u godit nga anije transportuese “Atlantic Asphalt”, duke përfunduar e anuar në njërën anë të lumit.
Në momentin e aksidentit, në bordin e anijes ndodheshin rreth 129 pasagjerë, përveç anëtarëve të ekuipazhit. Pas përplasjes, anija filloi të marrë ujë dhe të anohej, ndërsa pasagjerët nisën të largoheshin me urgjencë.
Në operacionin e shpëtimit u përfshinë ekipet e emergjencës, policia, operatorët e rimorkiatorëve dhe Roja Bregdetare amerikane. Si pasojë e incidentit, 32 persona u dërguan në spital me lëndime të lehta. Autoritetet konfirmuan se nuk ka asnjë person të zhdukur.
Kryetarja e Bashkisë së New Orleansit, Helena Moreno, e cilësoi ngjarjen si një “mrekulli në Mississippi”, duke vlerësuar reagimin e shpejtë të ekipeve të shpëtimit.
“Ne nuk kemi asnjë person të zhdukur, gjë që është vërtet një mrekulli në Mississippi”, deklaroi Moreno.
Ndërkohë, kapitenia e Rojës Bregdetare amerikane, Melanie Burnham, bëri të ditur se një nga dyshimet fillestare lidhet me një problem të mundshëm në sistemin e drejtimit të anijes.
Shkaku i saktë i përplasjes mbetet nën hetime. Ndërkohë, autoritetet kanë mbyllur përkohësisht një pjesë të lumit Mississippi gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit.
Anija “American Heritage”, e ndërtuar në vitin 2015, mund të transportojë deri në 150 mysafirë dhe po përfundonte një udhëtim tetëditor në destinacione përgjatë lumit Mississippi, në Luiziana dhe Misisipi.