Muhamet Gashi mbetet në paraburgim, Prokuroria zgjeron hetimet për falsifikim dokumentesh dhe vjedhje identiteti

Muhamet Gashi mbetet në paraburgim, Prokuroria zgjeron hetimet për falsifikim dokumentesh dhe vjedhje identiteti

Written by

in

Pas rreth katër vitesh në arrati, Muhamet Gashi, i kërkuar për vrasjen e rëndë të një 22-vjeçari në Lipjan, u lokalizua dhe u arrestua më 16 prill 2026, në kuadër të një hetimi disa mujor të zhvilluar nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës.

Gashi, sipas Prokurorisë, gjatë periudhës së arratisjes dyshohet se ka përdorur identitete të rrejshme, ka poseduar armë dhe ka kryer edhe vepra të tjera penale, për të cilat hetimet janë zgjeruar pas arrestimit.

Në një përgjigje me shkrim  nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për “RTV Dukagjini”, Prokuroria ka zgjeruar hetimet për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave psikotrope ose analoge”, “Falsifikim i dokumenteve”, “Vjedhja e identitetit” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Pra, përveç dyshimit fillestar për vrasjen e rëndë dhe armëmbajtjen pa leje, autoritetet po hetojnë edhe veprimet që Gashi dyshohet se ka ndërmarrë gjatë kohës sa ishte në arrati.

“Referuar kërkesës suaj, lidhur me rastin, ju njoftojmë se ende nuk është ngritur aktakuzë, pasi çështja penale ndodhet në fazën e hetimeve dhe aktualisht jemi në pritje të rezultateve të ekzaminimeve laboratorike të provave”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Më 17 prill, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte miratuar kërkesën e Prokurorisë dhe caktoi masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Muhamet Gashit dhe Gentian Gashit.

Prokurori i rastit, Arben Hoti, kishte deklaruar se arrestimi erdhi pas një pune intensive dhe të pandërprerë hetimore, në bashkëpunim me Njësitin e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë dhe njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës.

Sipas Hotit, Gashi dyshohet për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa gjatë hetimeve janë siguruar të dhëna edhe për vepra të tjera penale.

“Falë një pune intensive, të mirëorganizuar edhe me Policinë e Kosovës, Njësitin e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, aplikimin e masave të veçanta hetimore dhe një hetimi intensiv të pandërprerë për disa muaj, kemi arritur që përfundimisht më 15.04, mes datës 16, ta lokalizojmë dhe arrestojmë të pandehurin Muhamet”, kishte deklaruar Hoti për “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria dyshon se gjatë kohës në arrati, Gashi ka përdorur dokumente me identitete të rrejshme, ka vjedhur identitetin e personave të tjerë dhe përmes këtyre dokumenteve ka krijuar raporte juridiko-civile dhe marrëdhënie me institucione apo kompani.

Sipas Prokurorisë, në momentin e arrestimit atij i janë gjetur dokumente identifikuese me identitete të rrejshme.

Gjithashtu,  Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj Muhamet Gashit ende nuk është ngritur aktakuzë, pasi rasti ndodhet në fazën e hetimeve.

“Referuar kërkesës suaj, lidhur me rastin, ju njoftojmë se ende nuk është ngritur aktakuzë, pasi çështja penale ndodhet në fazën e hetimeve dhe aktualisht jemi në pritje të rezultateve të ekzaminimeve laboratorike të provave”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Dyshimet se kishte punuar si shofer i nxënësve

Një nga informacionet që “Betimi për Drejtësi” kishte publikuar disa muaj para arrestimit lidhej me dyshimet se Muhamet Gashi, duke përdorur identitet të rrejshëm, kishte punuar si shofer dhe kishte transportuar nxënës të një shkolle në Prishtinë.

“Betimi për Drejtësi” kishte siguruar këto informacione që në shkurt të vitit 2026 dhe kishte intervistuar edhe disa prindër të nxënësve.

Megjithatë, redaksia kishte vendosur që këto informacione të mos publikoheshin në atë kohë, për shkak se Prokuroria ishte duke zhvilluar një hetim intensiv për lokalizimin dhe arrestimin e personit të kërkuar.

Sipas të dhënave të publikuara, Gashi dyshohet se prindërve dhe fëmijëve iu ishte prezantuar me emrin “Albin Behrami”.

Një ish-punëtor i kompanisë që kishte nisur punën si shofer në shkurt të vitit 2025, kishte treguar se Gashi prezantohej si Albin dhe si pronari i kompanisë dhe se ai kishte transportuar nxënës për rreth tre muaj.

Punëtori kishte treguar se kishte lënë punën pasi Policia kishte ardhur duke e kërkuar pronarin e autobusit. Sipas tij, ai nuk kishte qenë në dijeni se për çfarë vepre po kërkohej personi.

Edhe disa prindër, kishin deklaruar se shoferin e njihnin me emrin Albin dhe se ai u ishte dukur njeri i sjellshëm.

Njëri prej prindërve kishte treguar se personi kishte pasur leje për të hyrë në oborrin e shkollës, në mënyrë që nxënësit të mos detyroheshin të kalonin rrugën.

Sipas tij, edhe prindërve tjerë ai u ishte prezantuar si pronar i kompanisë.

Disa prindër, pasi kishin parë fotografinë e Muhamet Gashit e kishin identifikuar dhe pohuar se atë si personin që e njihnin me emrin Albin.

Njëra prej tyre kishte deklaruar se kishte udhëtuar me të dhe e kishte përshkruar si person të mirë, duke thënë se në atë kohë nuk kishte pasur asnjë dyshim për identitetin e tij.

Prokuroria po i verifikon edhe këto informacione

Prokurori Arben Hoti kishte konfirmuar më herët se Prokuroria kishte pranuar informacionet lidhur me dyshimet se Gashi kishte punuar si shofer i fëmijëve, por se në atë fazë nuk mund të jepte detaje për shkak të hetimeve.

“Si informacion e kemi pranuar gjatë fazës së trajtimit të çështjes. Ka pasur informacione, por diçka më konkrete për momentin nuk mund të ndajmë me opinionin, sepse jemi në proces edhe të verifikimit të disa veprimeve të tjera që mund t’i ketë ndërmarrë ky person i pandehur gjatë kësaj kohe”, kishte thënë Hoti.

Ai kishte konfirmuar se ekzistonte informacioni se personi i kërkuar kishte qenë shofer i cili transportonte fëmijët në një shkollë në Prishtinë.

Prokurori Hoti kishte deklaruar se, që nga momenti kur e kishte marrë përsipër rastin në fund të vitit 2025, informacionet e siguruara tregonin se Gashi kryesisht ishte strehuar në pjesën jugore të Serbisë, në zonën e Bujanocit dhe Preshevës, ndërsa kishte pasur edhe lëvizje të herëpashershme në territorin e Kosovës.

Sipas tij, Gashi kishte qenë i organizuar mirë në përpjekjet për t’iu shmangur arrestimit.

Në shkresat e lëndës, sipas Prokurorit, ekziston edhe raporti i një zyrtari policor në zonën kufitare të Gjilanit, ku Gashi kishte arritur t’i shmangej arrestimit që në vitin 2022.

Ai ishte ndaluar në një pikë kontrolli, por, pasi kishte kuptuar se verifikimi policor mund të çonte në arrestimin e tij, kishte arritur të largohej nga vendi i ngjarjes.

Hoti kishte deklaruar se Gashi ishte vlerësuar si person me shkallë të lartë rrezikshmërie.

Për këtë arsye, në operacionin e arrestimit kishin marrë pjesë edhe njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, në momentin e ndërhyrjes, Gashi kishte pasur armë në dorë, ndërsa gjatë kontrollit forenzik është konstatuar se arma kishte pasur edhe municion, përkatësisht fishek në tytë.

Në kuadër të së njëjtës procedurë penale është edhe Gentian Gashi, i cili u arrestua bashkë me Muhamet Gashin.

Prokuroria e kishte arrestuar nën dyshimin se ai i ka ofruar strehim dhe ndihmë Muhamet Gashit për t’iu shmangur arrestimit.

Sipas Prokurorisë, Gentian Gashi dyshohet se e kishte strehuar Muhamet Gashin në njërën prej njësive banesore ku kishte banuar edhe vetë me familjen.

Në përgjigjen e fundit, Prokuroria ka bërë të ditur se Gentian Gashi po hetohet për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesit pas kryerjes së veprës penale”, si dhe në bashkëkryerje për veprën “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, nga neni 267, paragrafi 1 dhe neni 31 i KPRK-së./PortaliDukagjini

 

Burimi: Dukagjini