Mungesa e naftës, Zvicra përdor rezervat e detyrueshme

Mungesa e naftës, Zvicra përdor rezervat e detyrueshme

Written by

in

Zvicra ka nisur të përdorë rezervat e saj strategjike të naftës për të përballuar një mungesë të përkohshme, e shkaktuar nga vonesat në furnizim si pasojë e reshjeve të dendura në jug të Francës.

Megjithëse furnizimi me naftë mbetet i sigurt falë rezervave të detyrueshme, situata në tregun e produkteve të naftës vazhdon të jetë e tensionuar.

Delegati për furnizimin ekonomik të vendit, Roland Pfister, ka autorizuar tërheqjen e naftës nga rezervat e detyrueshme. Sipas Zyrës Federale për Furnizim Ekonomik Kombëtar (FONES), nga 23 tetori deri më 22 nëntor do të mund të tërhiqen deri në 45 mijë metra kub naftë, raporton Arcinfo.

Ky vëllim përfaqëson pak më pak se katër për qind të rezervave të përgjithshme të detyrueshme të naftës, bëri të ditur të premten zyra federale.

Tregjet ndërkombëtare nën presion

Masa është ndërmarrë në një kohë kur kushtet e furnizimit janë tashmë të vështira. Tregjet ndërkombëtare të naftës janë nën presion që nga fillimi i luftës në Iran, ndërsa furnizimi logjistik i Zvicrës është ndikuar edhe nga nivelet vazhdimisht të ulëta të ujit në lumin Rain.

Çdo problem shtesë që prek një formë tjetër të transportit mund të shkaktojë shpejt bllokime në zinxhirin e furnizimit, transmeton Telegrafi.

Mungesa e përkohshme e naftës lidhet me vonesat në pompimin e naftës bruto dhe produkteve të rafinuara, të shkaktuara nga reshjet e dendura në jug të Francës.

Pavarësisht këtyre vështirësive, Zyra Federale për Furnizim Ekonomik Kombëtar thekson se furnizimi me naftë i Zvicrës mbetet i sigurt.

Edhe furnizimi me vajgur është i garantuar, falë tërheqjeve nga rezervat e detyrueshme, të autorizuara deri më 1 nëntor.

Ndërkohë, situata me benzinën dhe vajin për ngrohje konsiderohet aktualisht e sigurt, por mbetet e tensionuar dhe e pasigurt.

Zyra federale ka bërë të ditur se po vazhdon ta monitorojë nga afër situatën e furnizimit./Telegrafi/