
Hekuran Murati ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurori ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe bashkëpunëtorëve të tij, lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e 2.2 milionë eurove nga fondet e kredisë së BERZH-it.
Përmes një postimi, Murati ka bërë të ditur se, sipas gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, këto mjete janë shpenzuar përmes 21 transaksioneve në pagesa që nuk kishin të bënin me projektet e parapara për renovimin dhe ngrohjen e shkollave, çerdheve dhe institucioneve publike.
Ai ka përmendur si vepra të dyshuara penale keqpërdorimin e detyrës zyrtare, falsifikimin e dokumentit zyrtar, mashtrimin dhe përdorimin e paautorizuar të pasurisë.
Murati i ka bërë thirrje Prokurorisë që të veprojë sa më shpejt dhe të hetojë rastin. Pretendimet e ngritura mbeten objekt i hetimit dhe nuk përbëjnë dëshmi përfundimtare të fajësisë.
Burimi: Insajderi