Murati fajëson krizat globale për shtrenjtimin e jetesës në Kosovë

Murati fajëson krizat globale për shtrenjtimin e jetesës në Kosovë

Written by

in

Murati fajëson krizat globale për shtrenjtimin e jetesës në Kosovë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar Projektbuxhetin për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, ndërsa është planifikuar që deficiti buxhetor të jetë në nivelin prej dy për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV).

Gjatë prezantimit në Komisionin për Buxhet, Murati tha se projektbuxheti është hartuar duke u bazuar në pritjet për rritje ekonomike dhe rritje të të hyrave buxhetore.

Sipas ndarjeve të prezantuara nga ministri, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për mallra dhe shërbime 588 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale 1 miliard e 70 milionë euro.

Murati bëri të ditur gjithashtu se nga viti 2027 nuk do të ketë më klauzola të veçanta për investimet kapitale, pasi financimi i tyre do të përfshihet brenda rregullës fiskale të deficitit prej dy për qind.

Megjithatë, projektbuxheti u shoqërua me kritika nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, i cili ngriti shqetësime për realizimin e investimeve kapitale.

Lushtaku iu referua raportit të Institutit GAP, sipas të cilit, mbi një miliard euro nga investimet e planifikuara për periudhën 2021-2024 nuk janë shpenzuar. Ai kritikoi edhe vonesat në shpërndarjen e subvencioneve për fermerët, projektet e planifikuara pa ndarje buxhetore dhe projektet e reja që, sipas tij, kanë ndarje fillestare prej vetëm një milion eurosh.

Në përgjigje të kritikave, Murati tha se mosrealizimi i plotë i investimeve kapitale është problem i trashëguar ndër vite. Ai ia atribuoi këtë çështje kapaciteteve zbatuese të ministrive dhe komunave, si dhe procedurave që, sipas tij, shpeshherë marrin kohë të gjatë.

Ministri pretendoi se në këtë drejtim ka përmirësim të trendit, ndërsa duke folur për inflacionin, tha se rritja e kostos së jetesës është sfidë edhe për vendet e tjera. Si faktorë që kanë ndikuar në këtë situatë, ai përmendi luftën në Ukrainë dhe konfliktin në Gjirin Persik.

Ndërkaq, sipas statistikave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për muajin tetor, inflacioni vjetor ka arritur në 7.1 për qind.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali