Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka kërkuar nga prokurorët që të nisin hetimet për rastet e faljes së pronës shtetërore, duke pretenduar se ndërtesat e shtetit po jepen me çmim prej katër eurosh për metër katror.
Ai ka kritikuar edhe pushtetin për, siç tha, mungesën e ndjeshmërisë ndaj vështirësive ekonomike të qytetarëve.
Gjatë fjalës së tij, Mustafa ka thënë se inflacioni i viteve të fundit ka rënduar buxhetet familjare, duke bërë që të hyrat mujore të shumë familjeve të mos i mbulojnë shpenzimet.
“Të gjithë jemi dëshmitarë për inflacionin e tmerrshëm që kemi përjetuar këto vitet e fundit në Republikën e Kosovës, nuk ka familje kosovare, mund ta them 99% e familjeve kosovare detyrohen që çdo muaj të ulen dhe të diskutojnë rreth buxhetit familjar, rreth të hyrave mujore që nuk po i mbulojnë shpenzimet mujore”, tha ai.
Mustafa ka përmendur rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, veshmbathjeve dhe karburanteve, duke thënë se qytetarët po i ndiejnë këto kosto sa herë që dalin për të blerë gjërat e nevojshme.
“Sa herë që një familje kosovare del në treg apo market për të blerë ushqim, i vërejnë që çmimet çdo ditë e më tepër po rriten, e fatkeqësisht asnjëherë nuk zbresin. Sa herë nj familje kosovare del për të blerë veshmbathje për veten dhe fëmijët e tyre, vëren po të njëjtën gjë. Natyrisht, çdo familjare kosovare që ka në pronësi të tyre një automjet, sa herë që shkon në pompë të benzinës, vëren po të njëjtën gjë”.
Ai ka kritikuar pushtetarët, duke pretenduar se një pjesë e tyre nuk përballen me të njëjtat shqetësime ekonomike si shumica e qytetarëve.
“Por të njëjtën brengë, në atë 1% që e lash pa e përmendur, të njëjtën brengë nuk e ndajnë kryesisht disa familje, e që ndër to bëjnë pjesë edhe pushtetarët këto gjashtë vitet e kaluara, që natyrisht nuk e ndjenjë këtë brengë”, tha ai.
Mustafa u ka bërë thirrje deputetëve që të mbikëqyrin më me kujdes punën e ministrave, ndërsa ka kërkuar nga prokurorët që të hetojnë rastet për të cilat pretendon se përfshijnë faljen e pronës shtetërore.
“Prandaj kam një lutje për neve deputetë…, të jemi më shumë vigjilent në punën e ministrave. Sidomos ju të pushtetit sepse në emrin tuaj janë fituar këto vota, e pushteti po vazhdon me dallavere duke falur 4 euro metrin katror të ndërtesave të shtetit, pra pronën e shtetit, pronën e qytetarëve të Kosovë. Me shpresën që po dëgjon dikush, lus Prokurorët që të fillojnë hetimet në këto raste”, ka deklaruar ai.
Burimi: Dukagjini
