Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti, Arben Mustafa ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) të dhëna për numrin e kompanive serbe që kanë tregtuar energji elektrike në Kosovë gjatë viteve të fundit, përfshirë vitin 2025, si dhe vlerën e energjisë së tregtuar nga to.
Në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, ku po shqyrtohej raporti vjetor i punës së ZRRE-së për vitin 2025, Mustafa përmendi edhe çështjen e origjinës së energjisë elektrike që importohet në Kosovë.
Ai pyeti nëse ekzistojnë mekanizma për të identifikuar prejardhjen e energjisë dhe nëse energjia nga Serbia mund të hyjë në Kosovë përmes agjentëve apo kompanive të vendeve të tjera.
“Nga të dhënat që po publikohen prej EUROSTAT doli që mesatarja në BE e kostos për konsumatorë jashtë ekonomive familjare është 16 centë kilovati, ndërsa bizneset tona që kanë dalë në treg të hapur po paguajnë dyfishin. Kjo reforma juaj çka i ka sjellë ekonomisë së vendit, a keni bërë ndonjë analizë si ZRRE, qysh ka ndikuar në konkurrueshmërinë e prodhuesve tanë vendimi i juaj për me i hedh në treg të hapur kompanitë, dhe a ka qenë tregu i Kosovës i përgatitur mjaftueshëm me ofru qasje të duhur në furnizim me energji për bizneset tona në mënyrë që këtë eksport edhe ashtu të pakët që e kemi mos të e dëmtojmë….
Mos është më e arsyeshme mos të ngutemi me i hedh në treg edhe një grup tjetër të bizneseve dhe të shkaktojmë një rritje edhe më të madhe të kostove të prodhimit…Sa është numri i kompanive serbe që kanë tregtuar energji elektrike në Kosovë gjatë këtyre viteve, përfshirë edhe vitin 2025 dhe a ka mekanizma ZRRE për me i identifiku se ka vjen energjia elektrike që importohet në Kosovë. A ka mundësi që energjia serbe apo e kompanive serbe të vijë në Kosovë përmes agjenteve apo përmes kompanive jo serbe, por që na sjellin neve këtu energjinë e Serbisë”, ka pyetur Mustafa, raporton kp.
Anëtari i Bordit të ZRRE-së, Driton Gojani, tha se rregullatorit i mjafton identifikimi i çmimit referent të bursës sipas të cilit blihet energjia, ndërsa për kontratat e KESCO-s tha se ato lidhen me agjentët që bëjnë blerjen në bazë të çmimeve referente të bursave.
Gojani bëri të ditur se, pas vendimit të Qeverisë, ZRRE-ja i është drejtuar Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), së cilës ia ka përcjellë regjistrin e licencave aktuale për verifikim.
“Unë e ceka edhe më herët që agjentët blejnë. Në këtë rast, për KESCO, në bazë të çmimit referent të një burse, apo një burse tjetër. Do të thotë, aty figuron vetëm kontrata në mes të agjentit dhe KESCO-s. Agjenti për KESCO blen në bazë të çmimit referent, sipas udhëzimeve që KESCO. Sa i përket aspektit të gjurmimit, për neve mjafton, aspekti i çmimit. Do të thotë, për ne bëhet me rëndësi me ditë që është duke blerë me çmim referent. Domethënë, një burse. Që mendojmë që, nëse ajo, sillet, është e mjaftueshme në kuptim të, për shkak se, nëse kishin me qenë çmimet më të larta…Pas vendimit të qeverisë, hapi i parë që ne e kemi ndërmarrë është që ju kemi drejtuar ARBK-së. gjithë regjistri i licencave aktuale të cilat neve i posedojmë i është dërguar ARBK-së. Ky është ai hapi në lidhje me identifikimin. Në këtë rast presim përgjigje nga ARBK-ja, në mënyrë që me vazhdu të jetë tutje me, procesin”, ka shtuar Gojani.
Deputeti nga PDK, Mustafa ka pyetur numrin e kompanive serbe dhe vlerën e tregtuar deri më tani.
Për këtë, Gojani tha se të dhënat mund të verifikohen përmes ankandeve dhe të dhënave të KESCO-s dhe KOSTT-it, por kërkoi që pyetja t’i dërgohet me shkrim, në mënyrë që ZRRE-ja të ofrojë përgjigje të saktë.
“Numrin e kompanive serbe, kjo mundet thjesht, nëse mundeni me na e dërgu si pyetje, edhe ne mundemi me pa në rast se, nëse ka. Ne i kemi të dhënat, prej ankandeve të cilat janë edhe prej KESCO-s, por edhe prej KOSTT-it, me e pa në rast se ka do të thotë import nga kompani serbe. Po kjo është një përgjigje që kishim mujt me jua dhënë me shkrim”, ka thënë Gojani gjatë raportimit në komision. /KP/