
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, po merr pjesë në Konferencën dhe Panairin Ndërkombëtar të Haxhit, që ka nisur punimet në qytetin e Xhides, në Arabinë Saudite.
Myftiu Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, po përfaqëson Bashkësinë Islame të Kosovës në këtë ngjarje ndërkombëtare, e cila zhvillohet nën sloganin “Nga Meka në botë”.
Konferenca katërditore mbahet nën kujdesin e Mbretit Salman bin Abdulaziz dhe organizohet nga Ministria e Haxhit dhe Umres e Arabisë Saudite, në bashkëpunim me Programin e Shërbimit për Mysafirët e të Mëshirëplotit.
Në këtë aktivitet po marrin pjesë mbi 520 institucione dhe organizata vendore e ndërkombëtare, me përfaqësues nga më shumë se 150 vende të botës.
Panairi synon të krijojë mundësi për bashkëpunim ndërmjet institucioneve përgjegjëse për organizimin e Haxhit, autoriteteve fetare dhe ofruesve të shërbimeve, me qëllim përmirësimin e kushteve për besimtarët që kryejnë këtë ritual fetar.
Pjesëmarrja e Myftiut Tërnava vlerësohet si mundësi për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe institucioneve përkatëse në Arabinë Saudite, si dhe për t’u njohur me risitë në organizimin dhe menaxhimin e shërbimeve për haxhilerët.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali