Nagavci: Komisioni Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt do të hetojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve

Nagavci: Komisioni Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt do të hetojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve

Written by

in

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se kanë iniciuar themelimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Përmes një postimi në Facebook, Nagavci ka thënë se komisioni do të hetojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së Zekajt.

Sipas saj, hetimi do të përfshijë trajtimin e denoncimeve dhe paralajmërimeve të viktimës, vlerësimin e rrezikut, zbatimin e urdhrave mbrojtës dhe veprimet e Policisë, Prokurorisë, gjykatave dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.

Komisioni parashihet të ketë mandat gjashtëmujor, ndërsa brenda 60 ditëve nga themelimi do t’i paraqesë Kuvendit një raport të përkohshëm me gjetjet fillestare dhe masat që kërkojnë veprim të menjëhershëm.

Nagavci ka theksuar se hetimi do të përfshijë edhe funksionimin e mekanizmave institucionalë për parandalimin dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve. Ajo ka kërkuar që të shqyrtohet nëse ka pasur neglizhencë, vonesa apo mosveprime institucionale dhe të përcaktohet se kush ka pasur përgjegjësi për të vepruar.

“Duhet të zbardhet se kush ka pasur detyrimin të veprojë, çfarë veprimesh janë ndërmarrë dhe ku ka dështuar mbrojtja institucionale”, ka shkruar Nagavci.

Ajo ka shtuar se, bazuar në gjetjet e hetimit, do të kërkohen masa konkrete dhe adresimi i përgjegjësive te organet kompetente.

Burimi: Dukagjini