Nagavci: Radojiçiqi mbetet i lirë në Serbi, ndërsa Beogradi vazhdon me pretendime territoriale ndaj Kosovës

Nagavci: Radojiçiqi mbetet i lirë në Serbi, ndërsa Beogradi vazhdon me pretendime territoriale ndaj Kosovës

Written by

in

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kritikuar Serbinë për mosdorëzimin e Milan Radojiçiqit te autoritetet e Kosovës dhe për deklaratat e zyrtarëve serbë lidhur me pretendimet territoriale ndaj vendit.

Në fjalimin e saj në Kuvendin e Kosovës, Nagavci ka thënë se, derisa Kosova bashkëpunon me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n për sigurinë rajonale, Serbia vazhdon të tolerojë persona të lidhur me krimin e organizuar dhe të mbajë qëndrime që cenojnë sovranitetin e Kosovës.

Ajo ka përmendur shfaqjen publike të Milan Radojiçiqit pranë djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në një tubim të Partisë Progresive Serbe, të mbajtur më 9 tetor në Kragujevc.

Nagavci për Radojiçiqin si organizator i sulmit në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ka theksuar se vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pavarësisht fletarrestimit ndërkombëtar.

“Organizatori i sulmit terrorist të Banjskës, ku u vra heroi ynë, rreshteri Afrim Bunjaku, i sanksionuar ndërkombëtarisht për lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin, dhe ndaj të cilit është lëshuar fletarresti ndërkombëtar përmes Interpolit, vazhdon të jetë i lirë në Serbi”, ka deklaruar ajo.

Nagavci ka kritikuar gjithashtu deklaratën e ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili, sipas saj, më 7 tetor në Rashkë ka thënë se flamuri serb do të valëvitet mbi Prizren dhe se Kosova mund të jetë e pushtuar, por kurrë e pavarur.

Sipas Nagavcit, këto deklarata nuk janë thjesht retorikë elektorale, por dëshmi e vazhdimit të pretendimeve territoriale të Beogradit ndaj Kosovës.

Ajo ka përmendur edhe nderimet publike për Ratko Mladiqin, i dënuar për gjenocid, si shenjë të vazhdimësisë së politikave që, sipas saj, nuk janë distancuar nga e kaluara.

Burimi: Dukagjini