
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka kritikuar Serbinë për pretendimet territoriale ndaj Kosovës.
Gjithashtu, ajo ka kritikuar Beogradin zyrtar që po e lë të lirë dhe nuk po e dorëzon kryeterroristin Milan Radojçiq.
“Më 9 tetor, në Kragujevc, kryet terroristi Milan Radojiçiq u shfaq pranë djalit të Aleksandër Vuçiqit në tubimin e Partisë Progresive Serbe. Organizatori i sulmit terrorist të Banjskës, ku u vra heroi ynë, rreshteri Afrim Bunjaku, i sanksionuar ndërkombëtarisht për lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin, dhe ndaj të cilit është lëshuar fletë-arrestin ndërkombëtar përmes Interpolit, vazhdon të jetë i lirë në Serbi”, ka thënë ajo në foltoren e Kuvendit të Kosovës.
Sipas saj, Radojiçiq është shfaqur pranë familjes së presidentit serb në një kohë kur në Serbi po zhvillohen protesta kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes.
Gjithashtu, ajo ka kritikuar Serbinë për mosdorëzimin e Radojiçiqit te autoritetet e Kosovës dhe për moszbatimin e fletarrestimit ndërkombëtar.
“Çfarë shteti është ky në mes të Evropës? Shtet i papërgjegjshëm, i padenjë për çdo lloj marrëdhënie ndërkombëtare. Më 7 tetor, ndërkaq, në Rashkë, Ivica Daçiq deklaroi se flamuri serb do të valvitet mbi Prizren dhe se Kosova mund të jetë e pushtuar, por kurrë e pavarur. Ne nuk habitemi. Këto nuk janë vetëm deklarata elektorale, por vazhdimësi e pretendimeve territoriale nga të cilat Beogradi nuk ka hequr dorë. Edhe nderimet publike për Ratko Mladiqin, të dënuar për gjenocid, e dëshmojnë këtë trashëgimi politike”, ka thënë ajo. /Klankosova.tv