Ndalohet në Serbi biznesmeni që u propozua për sanksione amerikane

Ndalohet në Serbi biznesmeni që u propozua për sanksione amerikane

Written by

in

Davor Macura, pronari i Alta Bankës në Serbi, u ndalua nën dyshimin se ka nxjerrë në mënyrë të paligjshme rreth 45 miliardë dinarë, apo afërsisht 380 milionë euro, nga kasaforta e bankës.

Prokuroria për Krim të Organizuar e Serbisë njoftoi më 2 nëntor se, përveç Macurës, u ndaluan edhe dy punonjës të lartë të bankës: drejtori i departamentit që menaxhon paratë e gatshme, G.M., dhe një zyrtar tjetër i këtij departamenti, I.P.

Sipas Prokurorisë, Macura dyshohet se ka keqpërdorur pozitën e tij për të marrë para nga banka, me ndihmën e dy zyrtarëve të tjerë.

Ata dyshohet se i kanë dhënë kartelat e tyre të hyrjes në kasafortë ose ia kanë mundësuar hyrjen duke e shoqëruar, edhe pse ai nuk kishte autorizim për të hyrë aty.

Prokuroria bëri të ditur se më 31 tetor dhe 1 nëntor janë kontrolluar ambientet e Alta Bankës dhe banesa e Macurës.

Gjatë kontrolleve është bërë edhe numërimi i parave të gatshme që ndodheshin në kasafortën e bankës.

Tre të dyshuarit u ndaluan për 48 orë dhe pritet të merren në pyetje nga Prokuroria për Krim të Organizuar.

Avokati i Macurës, Isa Spahoviq, tha për Radion Evropa e Lirë se klientit të tij i është dorëzuar vendimi për ndalim.

“Nesër ai do të dalë para Prokurorisë, e cila do t’ia paraqesë hollësitë e rastit, përfshirë veprën penale për të cilën dyshohet, dhe do t’i kërkojë të deklarohet lidhur me akuzat. Ai ka të drejtë të deklarohet dhe mbetet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajë”, tha Spahoviq.

Ndalimi vjen vetëm disa ditë pasi Banka Qendrore e Serbisë ia hoqi Alta Bankës licencën e veprimtarisë, pas përkeqësimit të gjendjes së saj financiare.

Macura është një biznesmen serb, i cili e nisi veprimtarinë e tij me një këmbimore valutore në Beograd, në vitin 2008, dhe më pas e zgjeroi biznesin në sektorin bankar, shërbimet financiare, pasuritë e paluajtshme dhe tregti.

Ai ishte në qendër të vëmendjes edhe në tetor, kur kongresisti republikan amerikan, Joe Wilson, kërkoi nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, vendosjen e sanksioneve ndaj tij dhe tre biznesmenëve të tjerë serbë, të cilët i përshkroi si të afërt me pushtetin e Aleksandar Vuçiqit.

Në letrën e 14 tetorit, Wilson ngriti pretendime për përfshirjen e Alta Bankës në pastrim parash dhe kërkoi që Macurës t’i ndalohej hyrja në Shtetet e Bashkuara dhe përdorimi i sistemit financiar amerikan.

Alta Banka i kishte hedhur poshtë këto pretendime në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të pabazuara.

Macura nuk ishte nën sanksione amerikane në kohën kur u bë kjo kërkesë.

Për momentin, nuk ka informacione që dëshmojnë ndonjë lidhje mes ndalimit të tij dhe kërkesës së mëhershme për sanksione.

Burimi: RTKLive