Ndalohet zyrtari i Gjykatës në Prishtinë, dyshohet se mundësoi regjistrimin e banesës në emër të serbit

Ndalohet zyrtari i Gjykatës në Prishtinë, dyshohet se mundësoi regjistrimin e banesës në emër të serbit

Written by

in

Ndalohet zyrtari i Gjykatës në Prishtinë, dyshohet se mundësoi regjistrimin e banesës në emër të serbit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë një zyrtar me inicialet A.B., i cili ka ushtruar detyrën e udhëheqësit të Zyrës për Menaxhimin e Lëndëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ai është ndaluar sot më 16 nëntor pas hetimeve disamujore të zhvilluara në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës.

A.B. dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar“.

Sipas Prokurorisë, ekzistojnë dyshime të bazuara se i dyshuari, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, kishte krijuar dosje fiktive dhe kishte vendosur vulën e vërtetësisë në kopjen e një dokumenti të falsifikuar, të titulluar “Kontratë për shitblerje“.

Përmes këtyre veprimeve, dyshohet se atij dhe personave të tjerë u është mundësuar përfitimi i kundërligjshëm pasuror.

Në kuadër të hetimeve, Prokuroria bën të ditur se një shtetasi të Serbisë, me inicialet M.B., i cili aktualisht ndodhet në arrati, i është mundësuar regjistrimi i një prone banesore në emrin e tij në Zyrën Kadastrale në Prishtinë.

Sipas njoftimit, prona në fjalë ka sipërfaqe prej 55.89 metrash katrorë dhe gjendet në Zonën Kadastrale në Matiçan.

Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se, brenda afatit ligjor, do të paraqesë në gjykatën kompetente kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.