KRU “Bifurkacioni” ka njoftuar se konsumatorët e fshatit Varosh do të përballen me ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijshëm gjatë ditës së sotme, 6 nëntor 2026.
Sipas njoftimit të kompanisë, ndërprerja po bëhet për shkak të punimeve teknike në terren, të cilat po zhvillohen në kuadër të projektit për zëvendësimin e ujëmatësve të vjetër me ujëmatës të rinj.
“Qëllimi i këtyre punimeve është përmirësimi i matjes së konsumit të ujit, rritja e efikasitetit në sistemin e furnizimit dhe ofrimi i shërbimeve më cilësore për konsumatorët”, thuhet në njoftim.
KRU “Bifurkacioni” ka bërë të ditur se furnizimi me ujë pritet të rikthehet nga ora 16:00.
Në fund, kompania ka kërkuar mirëkuptimin e konsumatorëve gjatë realizimit të punimeve. /Telegrafi/