Ndryshime në udhëheqjen e KFOR-it, gjenerali turk Onur Çakıcı merr detyrën e zëvendëskomandantit

Ndryshime në udhëheqjen e KFOR-it, gjenerali turk Onur Çakıcı merr detyrën e zëvendëskomandantit

Written by

in

Në selinë e KFOR-it në Prishtinë është mbajtur ceremonia e dorëzimit të detyrës së zëvendëskomandantit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

Ceremonia, e zhvilluar në kampin “Film City”, u kryesua nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, ndërsa gjeneralbrigade Federico Collina ia dorëzoi detyrën gjeneralbrigade Onur Çakıcı.

Sipas njoftimit të KFOR-it, gjatë ceremonisë, komandanti Vergori shprehu mirënjohjen e tij për profesionalizmin dhe udhëheqjen e treguar nga gjenerali Collina gjatë shërbimit të tij në Kosovë.

“Në fjalën e tij, komandanti i KFOR-it shprehu vlerësimin e tij të sinqertë për gjeneralbrigade Collina-n, për profesionalizmin dhe lidershipin e treguar gjatë gjithë shërbimit të tij”, thuhet në njoftim.

Vergori gjithashtu i uroi mirëseardhjen zëvendëskomandantit të ri, gjeneralbrigade Onur Çakıcı, duke theksuar rëndësinë e këtij posti në mbështetjen e misionit dhe aktiviteteve të KFOR-it.

KFOR-i ka ritheksuar se vazhdon të zbatojë mandatin e tij në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë në Kosovë./Telegrafi.