
Në Ditën e Flamurit, më 28 Nëntor, Mitrovica i ka dhënë lamtumirën e fundit doktor Adem Ademit, në një ceremoni përkujtimore të organizuar në nderim të jetës dhe veprës së tij.
Homazhet në nderim të figurës së tij janë mbajtur në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, në kuadër të ceremonisë së rivarrimit.
Ndërkaq, me intonimin e himnit kombëtar është mbajtur edhe mbledhja komemorative, ku është kujtuar kontributi i doktor Adem Ademit si intelektual, atdhetar dhe humanist.
Përmes një postimi, kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka shprehur nderimin dhe dhimbjen për Ademin.
“Lamtumirë, doktor Adem Ademi! Dr. Adem Ademi ishte një prej figurave që personifikonte intelektualin, atdhetarin dhe humanistin. Ai shëroi e mbylli shumë plagë, por për 27 vite la të hapur plagën e tij, për familjen, Mitrovicën dhe gjithë Kosovën! Sot me 28 Nëntor, lamtumirë doktor!”
Kujtojmë se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka informuar se janë pranuar raporte të reja të ADN-së, mbi bazën e të cilave janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu, dhe Ali (Islam) Haliti, pjesë e Grupit të Intelektualëve.
Me këtë rast, familjarët e Dr. Adem Ademit thanë se ky lajm shënon një moment shumë të rëndësishëm për ta, pas 27 vitesh pritjeje.