“Në Kosovën e progresit të paparë” – Errësirë në Fakultetin Ekonomik, Hykmete Bajrami tregon si u mbajt testi nën dritën e telefonave

“Në Kosovën e progresit të paparë” – Errësirë në Fakultetin Ekonomik, Hykmete Bajrami tregon si u mbajt testi nën dritën e telefonave

Written by

in

“Në Kosovën e progresit të paparë” – Errësirë në Fakultetin Ekonomik, Hykmete Bajrami tregon si u mbajt testi nën dritën e telefonave

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh profesoreshë në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, Hykmete Bajrami, ka denoncuar një situatë të pazakontë të ndodhur mbrëmjen e sotme, ku rreth orës 17:10 është ndërprerë rryma derisa ajo po mbante provim me studentët e nivelit master.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bajrami ka treguar se si u gjetën në këtë situatë, duke e shoqëruar me një dozë ironie për gjendjen e furnizimit me energji elektrike në vend.

Sipas saj, paraprakisht studentëve u ishin marrë telefonat para fillimit të testit, por pas errësirës ata dolën me një ide kreative për të mos e ndërprerë provimin.

”Paraprakisht ua kisha marrë të gjithëve telefonat. Pas disa minutash pritjeje, studentët erdhën me një ide kreative: t’ua shpërndaja telefonat në mënyrë të rastësishme, që secili ta përdorte telefonin e dikujt tjetër vetëm për ndriçim, pa e zhbllokuar. Kështu vazhduam testin!”, ka shkruar Bajrami.

Duke publikuar edhe pamje nga salla e errësuar, ajo ka thumbuar pushtetin, duke theksuar se kjo pamje i takon kohës aktuale dhe jo periudhave të kaluara.

”Jo, fotografia nuk është e pasluftës. Është bërë para një ore me 18 nëntor 2026, në ’Kosovën e progresit të paparë’!”, ka vijuar ajo.

Në fund të reagimit të saj, deputetja e LDK-së ka lëshuar një thirrje urgjente për ekzekutivin, duke kërkuar masa të menjëhershme për shkak të krizës energjetike dhe mungesës së investimeve në kapacitete të reja gjeneruese përgjatë gjashtë viteve të fundit.

”Përtej humorit, Qeveria duhet të vijë urgjentisht në Kuvend me një plan konkret për kapacitete të reja gjeneruese. Vetëm prodhimi vendor na shpëton nga kriza. Pas gati gjashtë vjetësh të humbura, nëse nuk veprojmë tash, as qytetarët e as Qeveria shumë shpejt nuk do të mund t’i përballojnë faturat e rrymës e reduktimet do na bëhen përditshmëri”, ka përfunduar ajo.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali