
Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe pushtetin për qëndrimin ndaj veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Haradinaj ka reaguar pasi në Kuvendin e Kosovës u shfaq videoja e daljes publike të UÇK-së, duke e cilësuar këtë veprim si patriotizëm të rremë.
Ai ka akuzuar pushtetin, duke thënë se në të njëjtën kohë kur shfaqin pamje të UÇK-së, veteranët janë përjashtuar nga përfitimi i pagës minimale, bashkë me Listën Serbe.
“Edhe sot e pamë edhe e vërtetuam një tallava patriotike. Pra, në Kuvend u shfaq videoja e daljes publike të UÇK-së, nga ata që bashkë me Listën Serbe i kanë përjashtuar veteranët e UÇK-së nga paga minimale”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka thënë se veteranët janë lënë në gjendje të rëndë ekonomike, ndërsa ka akuzuar pushtetin se po mashtron qytetarët.
“E shfaqin videon e daljes publike të UÇK-së, në të njëjtën kohë këta së bashku me Listën Serbe i kanë përjashtuar veteranët nga paga minimale dhe i kanë lënë në mjerim”, ka thënë Haradinaj.