Në Rumani tentuan ta përdhunonin kryetarin e komunës në hotel, e filmuan dhe e detyruan të konsumonte kokainë

Në Rumani tentuan ta përdhunonin kryetarin e komunës në hotel, e filmuan dhe e detyruan të konsumonte kokainë

Written by

in

Dy burra dhe një grua janë vendosur në paraburgim për 30 ditë, pas një hetimi të prokurorëve rumunë kundër krimit të organizuar (DIICOT), lidhur me rrëmbimin, sulmin dhe shantazhimin e kryetarit të komunës së Baia Mares, Ioan Doru Dăncuș.

Sipas burimeve gjyqësore të cituara nga mediat, të dyshuarit janë biznesmenët lokalë Raul dhe Răzvan Kis, përkatësisht 32 dhe 34 vjeç, të cilët drejtojnë kompani në sektorët e hotelerisë, restoranteve dhe ndërtimit.

Prokurorët pretendojnë se dy vëllezërit kërkuan hakmarrje ndaj kryetarit të komunës, pasi inspektorët komunalë kishin gjobitur bizneset e tyre për shkelje të ndryshme dhe ua kishin pezulluar përkohësisht aktivitetin. Sipas hetuesve, të dyshuarit ia atribuonin këto masa detyrave zyrtare dhe përkatësisë politike të kryetarit.

Për të realizuar planin e tyre, i dyshuari 32-vjeçar dyshohet se angazhoi një grua 34-vjeçare, e cila duhej t’i afrohej kryetarit dhe ta joshte që të shkonte në banesën e saj në Bukuresht.

Natën mes 28 dhe 29 shtatorit 2026, sapo Dăncuș mbërriti në apartament, ai u zu në pritë nga dy vëllezërit, të cilët mbanin maska në fytyrë dhe ishin të armatosur me thikë dhe elektroshok.

Sipas hetuesve, sulmuesit e lidhën dhe ia mbyllën gojën viktimës për ta penguar të kërkonte ndihmë. Ata ia prenë një pjesë të rrobave dhe tentuan ta sulmonin seksualisht, por u ndërprenë nga zhurmat që u dëgjuan jashtë derës së banesës.

Pas ndërprerjes së sulmit, dy burrat dyshohet se e detyruan kryetarin të konsumonte kokainë përmes hundës. Sipas prokurorisë, lënda narkotike ishte blerë posaçërisht nga bashkëpunëtorja e tyre për këtë plan.

Sulmi, gjatë të cilit viktima u detyrua të qëndronte në pozita poshtëruese dhe të konsumonte drogë, u filmua nga autorët. Pamjet më pas u përdorën si mjet për ta shantazhuar.

Prokurorët kanë bërë të ditur se të dyshuarit përdorën pamjet komprometuese për ta detyruar kryetarin e komunës të plotësonte dy kërkesa.

E para ishte të ndërhynte për anëtarësimin e vëllait 34-vjeçar në një parti politike, ndërsa e dyta të ushtronte presion ndaj një gazetari që të fshinte nga rrjetet sociale videot ku kritikoheshin familja dhe bizneset e dy vëllezërve.

Sipas hetuesve, Dăncuș i plotësoi të dyja kërkesat pas incidentit.

Gjatë hetimeve, policia kreu shtatë bastisje në banesa në Bukuresht dhe Baia Mare, ku sekuestroi prova të rëndësishme, përfshirë materialin që ishte përdorur për t’ia mbyllur gojën viktimës, një pajisje elektroshoku dhe një çelës për prangat.

Të mërkurën, më 25 nëntor, Gjykata e Bukureshtit urdhëroi paraburgimin 30-ditor për të tre të dyshuarit.

Ata akuzohen për krijim të grupit të strukturuar kriminal, shantazh, privim të paligjshëm të lirisë dhe tentativë përdhunimi. Njëri nga burrat dhe gruaja përballen gjithashtu me akuza për trafikim të drogave me rrezik të lartë.

Rasti po hetohet nga struktura qendrore e DIICOT-it, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimeve Kriminale të Policisë Rumune (IGPR).

Doru Dăncuș, 53 vjeç, anëtar i Partisë Socialdemokrate (PSD), konfirmoi se kishte ndërhyrë për anëtarësimin e njërit prej të dyshuarve në një parti politike dhe kishte ushtruar presion ndaj një gazetari për të hequr nga rrjetet sociale një hulumtim mbi aktivitetet e tyre të biznesit.

Në një reagim publik, kryetari i Baia Mares dënoi përpjekjet e grupeve kriminale për të kontrolluar qytetin nga prapaskena dhe deklaroi se nuk do t’i nënshtrohet shantazhit.

“Vendi i mafiozëve është në burg! Pavarësisht emrit apo prejardhjes së tyre. NUK DO T’I NËNSHTROHEM SHANTAZHIT! U mendova gjatë nëse duhej të flisja publikisht për atë që ndodhi, sepse nuk jam njeri që del përpara dhe kërkon keqardhje – dhe as nuk kam ndërmend ta bëj këtë. Megjithatë, nuk jam dikush që mund të shantazhohet dhe as nuk do të bëhem viktimë e klaneve të ndryshme të stilit mafioz, të cilat përpiqen të tërheqin fijet në Baia Mare nga prapaskena”, shkroi ai në Facebook.

Dăncuș shpjegoi se persona lokalë, të mësuar të merrnin atë që dëshironin me çdo kusht, ishin përpjekur ta detyronin të lëshonte leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin, të ndërhynte për t’u lehtësuar pozitat në proceset gjyqësore me komunën dhe t’u siguronte ndikim të paligjshëm.

Pasi nuk arritën ta bindnin përmes ryshfetit apo shantazhit, ata, sipas kryetarit, iu drejtuan “taktikave të ulëta mafioze”, duke e rrëmbyer, prangosur dhe poshtëruar rëndë, me synimin për të krijuar materiale komprometuese kundër tij.

Dăncuș tha se kishte refuzuar të negocionte apo të dorëzohej dhe ishte paraqitur menjëherë në polici. Ai shtoi se hetuesit e Drejtorisë së Hetimeve Kriminale ishin tronditur nga detajet e rastit, gjë që çoi në bastisjet dhe arrestimet e fundit në Baia Mare.

Kryetari shprehu besimin e plotë te prokurorët, gjyqtarët dhe sundimi i ligjit, duke theksuar se nuk mund të frikësohet apo nënshtrohet dhe se “mafiozët e kanë vendin në burg”.

Në fund, ai kërkoi falje ndaj familjes së tij, veçanërisht nënës dhe fëmijëve, për të cilët tha se kanë vuajtur emocionalisht dhe fizikisht gjatë muajve të fundit. Ai kërkoi falje edhe ndaj kolegëve dhe qytetarëve të Baia Mares, që u detyrua ta trajtonte publikisht këtë çështje në vend që të përqendrohej vetëm në punët komunale.

Baia Mare është qytet në veriperëndim të Rumanisë dhe kryeqendër e qarkut Maramureș. /Telegrafi/