Në kuadër të Javës së Kulturës Shqiptare në Kroaci, në Qendrën Kulturore Shqiptare në Zagreb u zhvillua një ngjarje e rëndësishme kulturore, promovimi i librit “Nënë Tereza”, kushtuar jetës, veprës dhe trashëgimisë së kësaj figure të jashtëzakonshme të njerëzimit.
Ky aktivitet i organizuar nga Unioni i Shqiptarve në Kroaci, mblodhi personalitete të jetës diplomatike dhe kulturore, të cilët përmes fjalës dhe reflektimeve të tyre sollën në vëmendje figurën e Nënës Terezë, simbolin e dashurisë së pakushtëzuar, humanizmit, përkushtimit dhe shërbimit ndaj njerëzve në nevojë.
Për librin dhe figurën e Nënës Terezë folën: Martin Beishaj, Ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë; Don Rikardo Lekaj, Vikar i Përgjithshëm i Ipeshkvisë së Poreçit dhe Pulës; Don Marijan Lorenci, misionar; dhe Don Ndue Ballabani, autor i librit “Nënë Tereza”.
Gjatë promovimit u theksua rëndësia e veprës dhe e mesazhit të Nënës Terezë, e cila me jetën dhe angazhimin e saj u bë një nga figurat më të ndritura të humanizmit botëror. Përkushtimi i saj ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe njerëzve më të pambrojtur mbetet një shembull i përhershëm i dashurisë, mëshirës dhe solidaritetit njerëzor.
Java e Kulturës Shqiptare në Kroaci dëshmon edhe një herë se kultura, letërsia, historia dhe vlerat shpirtërore janë ura të rëndësishme lidhëse mes popujve, duke kontribuar në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në forcimin e miqësisë e të bashkëpunimit kulturor shqiptaro-kroat.
Burimi: RTKLive
