
Aktivistja Olimbi Hoxhaj, në emisionin “Kosova Today”, ka folur për vështirësitë që kalon duke pasur virusin HIV për mbi 30 vjet.
Ajo tha se ky virus ka ndikuar shumë në jetën e saj, transmeton Klankosova.tv.
Pos tjerash, Hoxhaj bëri të ditur se bashkëshorti i ka vdekur nga komplikacionet nga AIDS, ndërsa tre nga katër fëmijët e saj janë HIV pozitiv.
“Është një dokumentar që përmbledh gjithë jetën time, dhe aktivitetin tim në dy dekadat e fundit. Në vitin 2003, pasi unë humba bashkëshortin tim për shkak të komplikacioneve të lidhura me AIDS, mësova që jam një person që jetoj me HIV, dhe tre nga katër fëmijët e mi rezultuan HIV pozitiv, të infektuar nëpërmjet transmetimit vertikal. Ka qenë një periudhë shumë e vështirë e jetës sime, të përballesha me humbjen e bashkëshortit, dhe njëkohësisht duhej të kuptoja se çfarë po ndodhte me mua”, u shpreh ajo.
“Në atë kohë, informacioni ishte shumë i kufizuar, dhe mundësitë e trajtimit në Shqipëri nuk kanë qenë ato që janë sot. E kujtoj edhe sot shprehjen e mjekëve, kthehu në shtëpi se ne nuk kemi çfarë të bëjmë për ju dhe fëmijët tuaj, pra ose merr fëmijët dhe largohu nga Shqipëria, ose pranoje fatalitetin sepse nuk kishte medikamente”, tha ajo.