
Nëntë anëtarë të një delegacioni zyrtar shtetëror nga Somalia, të cilët kishin qëndruar në Kosovë në fund të tetorit, raportohet se janë zhdukur pasi janë larguar nga hoteli ku ishin akomoduar në afërsi të Prishtinës.
Për rastin, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës i ka dërguar një notë verbale Qeverisë së Somalisë, duke kërkuar informacione për vendndodhjen dhe sigurinë e tyre, raporton Klankosova.tv, duke iu referuar medias somaleze “Garowe Online”.
Sipas komunikimit diplomatik të datës 30 tetor 2026, delegacioni kishte arritur në Kosovë më 25 tetor, me një fluturim të kompanisë “Turkish Airlines”. Ai udhëhiqej nga ministri i Shtetit për Punë Publike, Banesa dhe Rindërtim, Said Mohamed Mohamud, dhe zëvendësministrja e Porteve, Fartuun Abdikadir Farah.
Nëntë personat që tashmë po kërkohen ishin pjesë e grupit shoqërues të delegacionit.
Sipas MPJD-së, më 28 tetor, gjatë përgatitjeve për largimin e delegacionit drejt aeroportit, Protokolli Shtetëror u informua se nëntë personat ishin larguar nga hoteli një natë më herët, më 27 tetor, rreth orës 19:10, pa njoftuar autoritetet përgjegjëse.
Ministria ka bërë të ditur se nuk ka arritur të marrë konfirmim nëse ata janë ende në Kosovë, nëse kanë udhëtuar drejt një shteti tjetër apo ku ndodhen aktualisht.
Ndërkohë, ministri Said Mohamed Mohamud dhe zëvendësministrja Fartuun Abdikadir Farah janë larguar nga Kosova më 28 tetor, ndërsa nëntë anëtarët e tjerë nuk janë paraqitur në terminalin VIP të Aeroportit të Prishtinës, ku pritej të niseshin sipas itinerarit të planifikuar.
Dyshohet për skandal me viza në Somali
Rasti raportohet të ketë shkaktuar edhe pasoja politike në Somali, ku dy ministra federalë thuhet se janë shkarkuar nga detyra, nën dyshimet se kishin mundësuar udhëtimin e nëntë personave në këmbim të parave.
Sipas pretendimeve të raportuara nga mediat somaleze, personat në fjalë ishin paraqitur si punonjës të institucioneve shtetërore për t’u përfshirë në delegacionin zyrtar dhe për të përfituar viza udhëtimi.
Po ashtu, burime të cituara nga “Garowe Online” pretendojnë se nëntë personat kanë udhëtuar më pas drejt vendeve të tjera dhe kanë kërkuar azil.
Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur, ndërsa në notën diplomatike të Kosovës nuk përmenden pagesat, shitja e vizave apo kërkesat për azil.
Deri më tani, autoritetet kosovare kanë kërkuar nga pala somaleze sqarime zyrtare për rrethanat e largimit dhe vendndodhjen e nëntë personave.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali