Nepali bëhet vendi i parë që merr kompensim për dëmet nga ndryshimet klimatike

Nepali bëhet vendi i parë që merr kompensim për dëmet nga ndryshimet klimatike

Written by

in

Nepali është bërë vendi i parë që përfiton kompensim nga një fond i ri i Kombeve të Bashkuara për dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike, pas përmbytjeve shkatërruese që goditën vendin në gusht të këtij viti, raporton The Telegraph.

Fondi për Përballimin e Humbjeve dhe Dëmeve, i krijuar për të ndihmuar vendet që përballen me fatkeqësi klimatike, ka vendosur të ndajë 20 milionë dollarë për Nepalin, për të mbështetur rimëkëmbjen nga përmbytjet e 26 gushtit.

Sipas të dhënave të fundit të raportuara, të paktën 1,500 persona kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 5,000 të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Shuma e miratuar përbën vetëm 0.7 për qind të dëmeve prej 2.7 miliardë dollarësh që Nepali ka vlerësuar në infrastrukturë dhe ekonomi.

Në një deklaratë, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) e cilësoi vendimin si “një moment historik për drejtësinë klimatike dhe solidaritetin me Nepalin”.

“Ky miratim përfaqëson herën e parë që fondi ndërhyn për të mbështetur një vend që përballet me një fatkeqësi klimatike të papritur, që nga fillimi i funksionimit të tij në COP28”, thuhet në deklaratë.

Sipas UNDP-së, vendimi do të ndihmojë në sigurimin e burimeve të nevojshme për rimëkëmbjen, rindërtimin dhe mbështetjen e komuniteteve të prekura.

Më 31 gusht, qeveria e Nepalit kishte kërkuar 20 milionë dollarë nga fondi i OKB-së, pas një orteku shkëmbinjsh dhe akulli që shkatërroi shtëpi, rrugë, shkolla dhe projekte energjetike pranë kufirit me Tibetin e Kinës.

Ministri i Financave i Nepalit, Swarnim Wagle, theksoi se vendi i tij kontribuon shumë pak në emetimet globale të gazeve serrë, por përballet me pasoja gjithnjë e më të rënda të ndryshimeve klimatike.

“Si një vend malor ndër më pak të zhvilluar dhe shumë i cenueshëm ndaj klimës, Nepali kontribuon në mënyrë të papërfillshme në emetimet globale të gazeve serrë, por vazhdon të përballet me ndikime klimatike joproporcionale dhe në rritje”, deklaroi ai.

Megjithatë, shuma e ndarë është kritikuar nga aktivisti për klimën dhe ish-deputeti nepalez Rajendra Bagjain, i cili e cilësoi atë si “një thërrime të ngecur mes dhëmbëve, jo ndihmë, por fyerje për viktimat”.

Burimi: RTKLive