Nesër Rame Lahaj ngjitet në skenën e Zürichut me “PASSION & ORIGIN”

Nesër Rame Lahaj ngjitet në skenën e Zürichut me “PASSION & ORIGIN”

Written by

in

Nesër mbrëma, Zürichu do të presë koncertin që shënon nisjen e turneut ndërkombëtar të Rame Lahajt, “PASSION & ORIGIN”. Tenori kosovar me famë botërore do të performojë në Kongresshaus Zürich, në një mbrëmje që bashkon repertorin shqiptar me muzikën ndërkombëtare.

I shoqëruar nga ARMA Ensemble, Lahaj do të interpretojë këngë shqiptare, pjesë italiane, chanson franceze dhe muzikë nga kinemaja. Përmes këtij programi, artisti synon ta sjellë këngën shqipe më pranë publikut shqiptar në diasporë, duke e vendosur atë përkrah repertorit që ka shënuar rrugëtimin e tij artistik në skenat ndërkombëtare.

Interesimi për koncertin është i lartë. Sipas njoftimit të publikuar për ngjarjen, 80 për qind e biletave janë shitur, ndërsa kanë bërë të ditur se kanë mbetur edhe pak bileta.

Pas Zürichut, “PASSION & ORIGIN” do të vazhdojë në Düsseldorf më 30 tetor, në Vjenë më 8 nëntor dhe në Toronto më 13 dhjetor, me mundësinë e shtimit të qyteteve të tjera në kalendarin e turneut.

📅 10 tetor 2026 | 20:00
📍 Kongresshaus Zürich – Kongresssaal
🎟️ Biletat: www.ramelahaj.com