Kryeministri në detyrë i Izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të takohet të dielën në mëngjes me liderin e opozitës, Gadi Eisenkot, në përpjekje për të zgjidhur ngërçin politik të krijuar pas zgjedhjeve të muajit të kaluar.
Të shtunën, Netanyahu deklaroi se është i gatshëm të pranojë që Eisenkot të bëhet kryeministër i pari, në kuadër të një qeverie të unitetit kombëtar me mandat të ndarë, transmeton Telegrafi.
Partia centriste Yashar e Eisenkotit dhe tri parti të tjera opozitare hebraike fituan gjithsej 48 ulëse në zgjedhjet e tetorit. Ndërkaq, blloku i Netanyahut siguroi 53 mandate. Asnjëri nuk arriti shumicën e nevojshme në Knesset, parlamentin prej 120 deputetësh.
Eisenkot ka afat deri më 6 dhjetor për të formuar qeverinë, ndërsa deri atëherë i mbetet edhe një javë kohë për të siguruar mbështetjen e nevojshme.
Në një postim në rrjetet sociale të shtunën, Netanyahu tha se përgjegjësia e tij si lider e obligon të lërë mënjanë gjithçka, përfshirë edhe parimin që partia më e madhe duhet ta udhëheqë qeverinë. Ai shtoi se fillimisht do të shërbente si “kryeministër alternativ”.
Eisenkot, ish-shef i ushtrisë izraelite, reagoi shpejt duke e ftuar Netanyahun në “negociata të mirëfillta dhe të përshpejtuara”.
Kjo ndodhi pasi Eisenkot kishte akuzuar të premten partinë e djathtë Likud të Netanyahut për zvarritje të negociatave për formimin e koalicionit.
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, tha se gjatë javës pas zgjedhjeve ishte konsultuar me të gjitha partitë, përpara se t’i jepte Eisenkotit 28 ditë kohë për të formuar qeverinë.
Dy aleanca të udhëhequra nga partitë arabe, Lista e Bashkuar dhe Lista e Përbashkët, fituan gjithsej 19 ulëse, një rezultat i paprecedentë i arritur pas rritjes së pjesëmarrjes së votuesve arabë.
Kjo u jep atyre mundësinë të bëhen vendimtare për krijimin e shumicës parlamentare. Megjithatë, pothuajse të gjitha partitë hebraike ishin zotuar para zgjedhjeve se nuk do të bashkëpunonin me to për formimin e qeverisë.
Në një intervistë për televizionin izraelit Channel 12 të shtunën, lideri i partisë së moderuar islamiste Raam, Mansour Abbas, la të kuptohej se ai dhe subjekti i tij e konsiderojnë Hamasin organizatë terroriste.
Abbas konfirmoi se kishte votuar pro një projektligji të bashkësponsorizuar nga partia e tij, i cili përfshinte edhe këtë përcaktim. Një qëndrim i tillë mund t’i hapë rrugë përfshirjes së Raam në një koalicion që synon largimin e Netanyahut nga pushteti.
Eisenkot ka shënuar përparim në përpjekjet për të siguruar shumicën, pasi ka arritur marrëveshje koalicioni me partinë Yisrael Beiteinu dhe subjektin The Democrats.
Anëtari i katërt i bllokut të tij është partia Beyachad, e udhëhequr nga ish-kryeministri Naftali Bennett. Ky i fundit deklaroi të enjten se mbështet formimin e një qeverie uniteti me pjesëmarrjen e Likudit, ku Eisenkot do të merrte fillimisht postin e kryeministrit.
Pas deklaratës së Netanyahut të shtunën, Bennett tha se ai kishte marrë vendimin e duhur duke u treguar i gatshëm t’i bashkohej një qeverie uniteti të udhëhequr nga Eisenkot, të bazuar në një aleancë të atyre që shërbejnë në ushtri.
Netanyahu tha se propozimi për krijimin e një qeverie të tillë bëhej për shkak të “përmasave të rrezikut ekzistencial” dhe mundësisë së formimit të një qeverie që nuk do të kishte kapacitetin për t’u përballur me të.
“Nëse Likudi është i gatshëm për unitet të vërtetë, unë jam i gatshëm ta vlerësoj seriozitetin e qëllimeve të tij gjatë 24 orëve të ardhshme”, deklaroi Eisenkot.
Lideri i Yasharit tha se negociatat do të zhvilloheshin mbi bazën e “propozimit të detajuar” që i ishte dërguar Netanyahut të dielën e kaluar. Ai shtoi se deri në atë moment nuk kishte marrë asnjë përgjigje.
Të premten, Eisenkot kishte akuzuar Likudin për zvarritje të procesit, duke pretenduar se partia nuk kishte paraqitur asnjë propozim konkret gjatë dy javëve të fundit. Ai kishte vënë në pikëpyetje nëse Likudi ishte vërtet i interesuar për negociata, ndërsa oferta e Netanyahut erdhi vetëm disa orë më vonë, të shtunën.
Asnjë parti politike në Izrael nuk ka arritur ndonjëherë të fitojë shumicën absolute të ulëseve në parlament, prandaj të gjitha qeveritë janë formuar përmes koalicioneve.
Në periudhën 2019–2022, një nga periudhat më të fragmentuara politikisht në historinë e vendit, u mbajtën pesë palë zgjedhje, pasi Netanyahu dhe rivalët e tij dështuan vazhdimisht të arrinin marrëveshje për bashkëpunim. /Telegrafi/