Netanyahu i bën thirrje rivalit politik për qeveri të unitetit kombëtar, pa parakushte

Netanyahu i bën thirrje rivalit politik për qeveri të unitetit kombëtar, pa parakushte

Written by

in

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka bërë thirrje rivalit të tij kryesor politik, Gadi Eisenkot, që të bashkohet në një qeveri të unitetit kombëtar, e cila do të përfshinte të gjitha partitë me shumicë hebraike, duke argumentuar se një qeveri e mbështetur në partitë arabe nuk do të mund të përballet me kërcënimin nga Irani.

Në një deklaratë përmes videos, Netanyahu tha se informimi për çështjet e sigurisë që i kishte dhënë Eisenkotit të enjten ia kishte forcuar bindjen se Izraeli ka nevojë për një qeveri të tillë.

“Le të hyjmë në një dhomë, pa parakushte, t’i lëmë mënjanë të gjitha mosmarrëveshjet dhe bojkotet dhe të arrijmë marrëveshje për sigurinë dhe të ardhmen e Izraelit”, tha Netanyahu.

Ai shtoi se marrëveshjet duhet të përfshijnë edhe çështjen e rekrutimit ushtarak, e cila, sipas tij, mund të zgjidhet së bashku me përfaqësuesit e komunitetit ultraortodoks hebre (Haredi).

Ndryshe nga thirrjet e mëparshme, Netanyahu nuk ka specifikuar se duhet të jetë vetë ai në krye të një qeverie të tillë. Ndërkaq, Eisenkotit i është dhënë mandati për formimin e qeverisë, e jo Netanyahut.

Netanyahu pretendoi se Irani po punon për të rikthyer programin e tij të armëve bërthamore dhe se do ta përdorte bombën kundër Izraelit. Ai tha se dy operacionet e zhvilluara kundër Iranit gjatë vitit të fundit “e larguan rrezikun e menjëhershëm të shkatërrimit nga ne”.

“Ne duhet ta largojmë këtë kërcënim ekzistencial njëherë e përgjithmonë”, deklaroi ai.

Sipas Netanyahut, një qeveri e ngushtë ose një qeveri që mbështetet te partitë që ai i cilësoi si përkrahëse të terrorizmit nuk do të mund ta përballonte këtë sfidë. Ai përsëriti pretendimin se dy partitë arabe mbështesin Hamasin.

Në anën tjetër, Netanyahu tha se një qeveri e unitetit kombëtar do të mund ta përballonte kërcënimin dhe të garantonte sigurinë e Izraelit për shumë vite.

Ai e lidhi këtë thirrje edhe me nevojën për pajtim kombëtar, duke iu referuar incidentit në inaugurimin e Knessetit javën e kaluar, kur disa deputetë u larguan gjatë këndimit të himnit kombëtar “Hatikvah”.

“Përgjigjja e nevojshme ndaj atyre që u larguan qëllimisht gjatë këndimit të ‘Hatikvah’ është krijimi i qeverisë së shpresës, qeverisë së unitetit kombëtar”, tha Netanyahu.

Burimi: Dukagjini