Neymar befason tifozët e Barcelonës: Kulmin e karrierës e arrita te PSG-ja

Written by

in

Neymar Junior ka befasuar tifozët e Barcelonës, duke deklaruar se periudhën më të mirë të karrierës së tij futbollistike e ka përjetuar te Paris Saint-Germaini (PSG), e jo te klubi katalunas, ku formoi treshen e famshme MSN me Lionel Messin dhe Luis Suarezin.

Braziliani e bëri këtë deklaratë gjatë një bisede me krijuesin e përmbajtjeve Davoo Xeneize, ku foli për karrierën e tij dhe periudhën që e konsideron kulmin e performancës individuale.

“Për mua, ishte te Paris Saint-Germaini”, u përgjigj Neymar, kur u pyet se kur kishte qenë në formën më të mirë.

“E di që njerëzit e kujtojnë kohën time te Barcelona me MSN-në, por si lojtar, kulmin e arrita në Paris, sepse ndihesha i fortë, isha i shpejtë dhe inteligjent”, deklaroi ai, sipas raportimit të mediumit sportiv SPORT.

Neymar kaloi katër sezone te Barcelona, ku përkrah Messit dhe Suarezit formoi një nga treshet më të famshme sulmuese në futbollin modern. Në vitin 2015, ai ishte pjesë e skuadrës që fitoi Ligën e Kampionëve, La Ligën dhe Kupën e Mbretit, duke e kompletuar tripletën nën drejtimin e Luis Enriques.

Në vitin 2017, braziliani u transferua te PSG-ja për një shumë rekord, me synimin për të ndërtuar një kapitull të ri në karrierën e tij. Në Paris, ai pati një rol të rëndësishëm në lojën sulmuese të skuadrës, megjithëse nuk arriti ta fitonte Ligën e Kampionëve me klubin francez.

Deklarata e tij pasqyron mënyrën se si Neymar e vlerëson zhvillimin e tij individual, pavarësisht se shumë tifozë e lidhin periudhën e tij më të paharrueshme me Barcelonën dhe treshen MSN.

Gjatë së njëjtës bisedë, Neymar zbuloi edhe se nuk e ka zakon të shikojë futboll në kohën e lirë.

“Të ulem në divan, ta ndez televizorin dhe të shikoj një ndeshje… Nuk mund ta bëj këtë”, tha ai, duke kujtuar se si irritohej kur miqtë e tij kalonin fundjavat duke ndjekur ndeshje futbolli.

Aktualisht, Neymar luan për Santosin, klubin brazilian ku e nisi karrierën e tij profesionale. Ai ka folur edhe për jetën pas pensionimit, duke bërë shaka se synon ta kalojë vitin e parë larg futbollit duke bërë sa më pak.

Burimi: Sinjali