Nga 23 nëntori, transferet bankare në Kosovë do të kryhen brenda pak sekondash, 24 orë në ditë

Nga 23 nëntori, transferet bankare në Kosovë do të kryhen brenda pak sekondash, 24 orë në ditë

Written by

in

Qytetarët dhe bizneset në Kosovë do të mund të realizojnë transfere të parave ndërmjet llogarive në banka të ndryshme brenda pak sekondash, në çdo kohë të ditës, duke filluar nga 23 nëntori 2026.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se shërbimi i ri do të funksionojë përmes sistemit TIPS-K, duke mundësuar pagesa të menjëhershme 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare.

Shërbimi do të ofrohet përmes llogarive ekzistuese dhe kanaleve digjitale të bankave pjesëmarrëse, pa pasur nevojë që qytetarët të hapin llogari të reja apo të instalojnë aplikacione shtesë.

Sipas BQK-së, katër bankat e para kanë përfunduar përgatitjet teknike dhe operative dhe do të fillojnë ofrimin e këtij shërbimi më 23 nëntor. Bankat e tjera do të kyçen gradualisht në sistem deri më 23 shkurt 2027.

Megjithatë, nga 23 nëntori të gjitha bankat do të zbatojnë tarifat e reja për transferet bankare, pavarësisht nga data kur do të lidhen me sistemin TIPS-K.

Në ceremoninë e lansimit, guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, e cilësoi këtë sistem si një investim strategjik në infrastrukturën financiare të Kosovës, i cili lehtëson pagesat e përditshme dhe krijon mundësi për zhvillimin e shërbimeve të reja për qytetarët dhe bizneset.

Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, të cilët kanë shprehur mbështetjen e Qeverisë për modernizimin e sistemit të pagesave, përmes marrëveshjes me Bankën Botërore për sektorin financiar.

Fjalë përshëndetëse mbajti edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, në emër të institucioneve italiane.

Ndërkaq, më 23 nëntor, Banka e Italisë do të organizojë në Romë ceremoninë rajonale të lansimit të sistemit, ku do të marrë pjesë edhe guvernatori i BQK-së, së bashku me guvernatorët e vendeve të tjera pjesëmarrëse nga Ballkani Perëndimor.

BQK-ja ka falënderuar institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bankën e Italisë, Bankën Qendrore Evropiane dhe Bankën Botërore, si dhe Qeverinë e Kosovës dhe bankat për bashkëpunimin në realizimin e projektit.

Informacionet për bankat pjesëmarrëse, tarifat dhe përdorimin e sigurt të pagesave të shpejta mund të gjenden në faqen zyrtare të TIPS-K.