
Gazeta Sinjali ka raportuar ndër vite për rastet ku ishte i përfshirë Ramush Salihu, 42-vjeçari që tashmë do të vuajë dënimin prej nëntë vjetësh e gjashtë muajsh burgim për dhunim, ngacmim seksual dhe prezantim të rremë si person zyrtar.
Emri i tij ishte raportuar nga Sinjali që në dhjetor të vitit 2022, kur Salihu akuzohej për mashtrimin e një të moshuari të verbër, i cili jetonte i vetëm në fshatin Sadovinë e Jerlive të Vitisë. Sipas aktakuzës, ai dyshohej se e kishte vënë në lajthim të moshuarin me pretendimin se i kishte sjellë një pako me ndihma dhe, në këtë mënyrë, i kishte marrë rreth 200 euro.
Në atë kohë, Sinjali kishte raportuar edhe për dështimin e seancës gjyqësore ndaj tij, pasi policia nuk kishte arritur ta gjente për ta sjellë me detyrim në gjykatë. Gjykatësi kishte paralajmëruar lëshimin e urdhërarrestit.
Më vonë, Sinjali kishte raportuar edhe për një rast të rëndë në Prishtinë, ku Salihu dyshohej për dhunimin e një 19-vjeçareje. Ai dyshohej se fillimisht i ishte prezantuar rrejshëm si pjesëtar i Policisë së Kosovës, ndërsa më pas e kishte kërcënuar dhe shantazhuar viktimën, para se ta detyronte të kryente marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.
Për këto vepra penale, Salihu është dënuar me nëntë vjet e gjashtë muaj burgim. Ai tashmë ndodhet në Kosovë, pasi u ekstradua nga Franca më 5 nëntor 2026.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali