Fisnik Asllani i është bashkuar Kombëtares së Kosovës në një moment shumë të mirë të formës – me shpresën që kjo do të vazhdojë edhe ndaj Izraelit dhe Irlandës.
Sulmuesi kosovar ka marrë pjesë sot në stërvitjen e Dardanëve, ku është shfaqur me humor dhe vetëbesim të lartë, pas paraqitjes së shkëlqyer me Hoffenheimin në fundjavë.
Asllani ishte protagonist në fitoren 2-1 ndaj Schalkes, duke shënuar një gol dhe duke dhuruar një asistim. Një paraqitje e tillë e bën edhe më inkurajuese ardhjen e tij në grumbullimin e Kosovës, në prag të dy ndeshjeve të rëndësishme të Ligës së Kombeve.
Shkëlqeu ndaj Schalkes, vendosi në dy gola
Sulmuesi kosovar e nisi ndeshjen si titullar dhe që në minutën e 10-të arriti të gjente rrugën drejt rrjetës, duke përfituar nga një gabim i portierit kundërshtar, Loris Karius.
Kontributi i tij vazhdoi edhe në minutën e 26-të, kur asistoi për Tim Lemperlen, i cili shënoi golin e dytë të Hoffenheimit. Skuadra e tij në fund fitoi 2-1, ndërsa Asllani ishte ndër futbollistët më të dalluar të takimit.
Paraqitja e tij mori vëmendje edhe në mediat gjermane, të cilat e veçuan për ndikimin e drejtpërdrejtë në të dy golat e skuadrës. Për sulmuesin e Kosovës, ky ishte një tjetër konfirmim i formës së mirë që po kalon në Bundesligë.
Edhe ndaj Austrisë kishte lënë gjurmë
Asllani e kishte mbyllur grumbullimin e kaluar me Kosovën me një gol të rëndësishëm ndaj Austrisë, duke zhvilluar një paraqitje shumë të mirë.
Tani ai rikthehet te Dardanët pas një tjetër fundjave pozitive në futbollin gjerman, duke besuar se edhe ndaj Izraelit dhe Irlandës, ai do të jetë protagonist.
Forma e tij, goli dhe asistimi ndaj Schalkes, si dhe atmosfera e mirë me të cilën i është bashkuar ekipit, janë sinjale inkurajuese për përzgjedhësin Franco Foda.
Asllani pritet të jetë një prej alternativave të rëndësishme në repartin ofensiv të Kosovës.
Kosova përgatitet për dy sfidat e fundit
Dardanët fillimisht do ta presin Izraelin më 14 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa më 17 nëntor do të përballen me Irlandën në Dublin.
Në këto dy ndeshje, Kosova synon ta mbyllë sa më mirë këtë cikël të Ligës së Kombeve, me pozitën e dytë që mbetet objektivi real i Dardandëve.
Pra, forma e sulmuesit të Hoffenheimit mund të jetë një përparësi e rëndësishme për skuadrën e Fodës. /Telegrafi/