Ngritet aktakuzë ndaj tre personave për sulmin e ekipit të KIKS Kosova

Ngritet aktakuzë ndaj tre personave për sulmin e ekipit të KIKS Kosova

Written by

in

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve: I.R., A.R. dhe B.R., për shkak të dyshimit të veprave penale “Lëndimi i lehtë trupor”, “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” dhe “Manipulimi me prova”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mire se të pandehurit I.R., A.R., dhe B.R., më datën 07.10.2026, rreth orës 11:40h, në rrugën “Hamit Rexhepi”, saktësisht në lagjen “Vanesa Residence” – në Ferizaj, të pandehurit në bashkëkryerje, me dashje dhe me qëllim të cenimit të integritetit trupor të dëmtuarve G.Sh., E.H., dhe S.Xh., -të gjithë staf gazetaresk nga mediumi “Klan Kosova”, në atë mënyrë që të dëmtuarit posa kishin hyrë me veturën e tyre në lagjen e lartpërmendur, me qëllim të realizimit të një storie lidhur me një kontest pronësor, papritmas një veturë i parakalon duke ia bllokuar rrugën që mos ti lejojnë të qarkullojnë si dhe një veturë tjetër nga mbrapa veturës së tyre, ashtu që të pandehurit posa dalin nga veturat pa asnjë paralajmërim, i’u hapin dyert e veturës së të dëmtuarve, fillimisht fillojnë ti bërtasin ofendojnë me tone të larta e më pas i godasin me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’ rast të dëmtuarit kishin pësuar lëndime trupore dhe kishin kërkuar tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj, me ç’rast nga ekspertiza mjeko ligjore e datës 16.10.2026, ka rezultuar se të dëmtuarit kanë pësuar dëmtime të lehta trupore me pasoja të përkohshme të shëndetit, me këtë në bashkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafin 1.4 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës

Po ashtu, sipas aktakuzës së Prokurorisë, i pandehuri I.R., me datë, kohë dhe vend si në pikën I, me dashje dhe me qëllim që të asgjësoj, dëmtoj apo të bëjë të papërdorshme pasurinë e personit tjetër të dëmtuarit E.H., në atë mënyrë që deri sa kishte qenë në veturë, i pandehuri ia merr kamerën , duke ia dëmtuar- përplas për tokë, e bërë jo-funksionale dhe të njëjtën e dorëzon në stacionin policor në Ferizaj, me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm në vlerë të pa përcaktuar, me këtë ka kryer veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 321 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, i njëjti me qëllim të ndryshimit, heqjes, fshehjes, shkatërrimit apo dëmtimit apo bërjen e pashfrytëzueshme të provës materiale e cila do të shfrytëzohej në procedurën penale ndaj tij dhe pengimit të ndriçimit të ngjarjes, në atë mënyrë që pas kryerjes së veprës penale, heq “DVR” të kamerave të sigurisë që ishin për të vrojtuar lagjen përfshirë edhe vendin e incidentit, heq provën materiale e cila ishte nën menaxhimin e tij, – me këtë ka kryer veprën penale “Manipulimi me prova” nga neni 389 paragrafi 1 nga neni 389 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente që të pandehurit ti shpall fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë. /Telegrafi/