Nicolas Sarkozy do të gjykohet në Paris në vitin 2027 për dyshimet për pagesë ndaj një dëshmitari

Nicolas Sarkozy do të gjykohet në Paris në vitin 2027 për dyshimet për pagesë ndaj një dëshmitari

Written by

in

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy dhe bashkëshortja e tij, këngëtarja Carla Bruni, do të përballen me një proces gjyqësor në fund të vitit 2027, lidhur me dyshimet se kanë paguar një dëshmitar për të tërhequr deklaratat që e implikonin Sarkozy-n në çështjen e financimit të dyshuar libian të fushatës së tij presidenciale të vitit 2007.

Lajmi u bë i ditur të martën, më 24 nëntor, nga një burim pranë çështjes, i cili konfirmoi se çifti do të dalë para Gjykatës Penale të Parisit. Në gjyq do të përfshihen edhe të gjithë personat e tjerë që janë vënë nën hetim zyrtar, përfshirë Mimi Marchand, e njohur si “mbretëresha e paparacëve”.

Sarkozy dhe Bruni akuzohen për “bashkëpunim kriminal për mashtrim në kuadër të një grupi të organizuar” dhe “fshehje të ndërhyrjes së paligjshme ndaj një dëshmitari”, transmeton Telegrafi.

Ndërkaq, Marchand do të përballet me akuza për ndërhyrje ndaj dëshmitarit, bashkëpunim kriminal për mashtrim në kuadër të një grupi të organizuar, si dhe për përgatitjen e akteve të korrupsionit ndaj personelit të huaj të drejtësisë.

Procesi gjyqësor pritet të mbahet nga 3 nëntori deri më 2 dhjetor 2027. Të pandehurit rrezikojnë deri në 10 vjet burgim dhe një gjobë prej 150 mijë eurosh.

Kjo çështje përbën një kapitull të ri në problemet ligjore të ish-kreut të shtetit francez. Ajo lidhet me hetimet për financimin e dyshuar libian të fushatës së tij presidenciale, rast për të cilin Sarkozy ishte dënuar me pesë vjet burgim pas shpalljes fajtor për bashkëpunim kriminal. Ai ishte liruar nga burgu pas 20 ditësh, në pritje të shqyrtimit të apelit.

Një nga dëshmitarët kryesorë në këtë çështje ishte biznesmeni franko-libanez Ziad Takieddine, i cili vdiq në Liban vitin e kaluar.

Në vitin 2016, Takieddine kishte deklaruar se kishte ndihmuar në dorëzimin e deri në pesë milionë eurove para të gatshme nga ish-diktatori libian Muammar Gaddafi te Nicolas Sarkozy dhe shefi i kabinetit të tij, gjatë viteve 2006 dhe 2007.

Por në nëntor të vitit 2020, Takieddine papritur tërhoqi deklaratat e tij komprometuese në një intervistë për mediat franceze, përpara se të ndryshonte sërish qëndrim.

Kjo solli dyshime se Sarkozy dhe bashkëshortja e tij kishin kërkuar ndihmën e Mimi Marchand për ta paguar dëshmitarin dhe për ta bindur të tërhiqte deklaratat. Si ish-presidenti, ashtu edhe Bruni i kanë mohuar vazhdimisht këto pretendime.

Carla Bruni dyshohet, në veçanti, se në fund të vitit 2019 kishte kërkuar krijimin e një linje telefonike të fshehtë, përmes së cilës të komunikonte me Marchand lidhur me çështjen e Takieddine.

Për shkak të rastit të financimit të dyshuar libian të fushatës së vitit 2007, Sarkozy u bë ish-presidenti i parë francez që përfundoi në burg.

Megjithatë, ai është dënuar përfundimisht edhe në dy çështje të tjera. E para lidhet me tejkalimin e shpenzimeve gjatë fushatës së pasuksesshme presidenciale të vitit 2012, ndërsa e dyta me përpjekjen e mëvonshme për të siguruar favore nga një gjyqtar.

Mimi Marchand, ndërkaq, ishte dënuar vitin e kaluar me 18 muaj burgim me kusht për shantazh ndaj një prezantueseje televizive, e cila kishte frikë se Marchand do të publikonte fotografi të vajzës së saj duke dalë nga një stacion policor. /Telegrafi/